TIRANË, 10 korrik/ATSH/ Ka nisur sot në Tiranë Java Kulturore e Mali të Zi. Ajo u çel me një konferencë për mediet, tek “Reja”, me ministren e Kulturës, Elva Margariti dhe homologen e saj malazeze, Masa Vlaovic, për të vazhduar më tej me paradën tradicionale “mažoretkinja”, e cila përveç se në kryeqytet do të zhvillohet edhe në qytetin e Shkodrës, po sot, rreth orës 15:00.
Parada “mažoretkinja” është një traditë shumëvjeçare që zhvillohet në Malin e Zi. Ajo sjell kostume, kërcime dhe traditë të bashkuara në një ecje të koordinuar. Parakalimi nisi sot nga instalacioni “Reja” deri tek Kalaja e Tiranës, duke tërhequr vëmendjen e kalimtarëve të rastit e turistëve të shumtë që gjenden aktualisht në Tiranë.
Po sot është çelur edhe ekspozita me kostume tradicionale malazeze që do të qëndrojë e hapur për vizitorët deri në 14 korrik në Kalanë e Tiranës. Ekspozita do të prezantojë kulturën e pasur materiale e shpirtërore të popullit malazez.
Po tek Kalaja e Tiranës do të zhvillohet edhe prezantimi i një koleksioni librash në shqip të Bibliotekës Kombëtare “Durde Crnojevic”. Mbrëmjeve do të ketë projeksione me filma kult malazezë. Ndërsa në datën 13, në Hollin Koncertor të TKOB-së do të vijë koncerti i një kuarteti harqesh, pjesë e Orkestrës Simfonike Malazeze.
/r.e/






















