Ballina Flash

Açka: Pr/ligji për studentët e mjekësisë, masë esktreme

TIRANË, 6 korrik/ATSH/ Kryetarja e Komisionit të Edukimit, deputete e Partisë  Demokratike, Flutura Açka e konsideroi një masë ekstreme projektligjin e miratuar një ditë më parë nga qeveria, përmes së cilit studentët e mjekësisë nuk do të mund të tërheqin diplomën pa kryer 5 vite punë, masë kjo që synon parandalimin e largimit të mjekëve nga Shqipëria.

Në fjalën e saj në seancën e sotme plenare, Açka tha se pr/ligji duhet të konsultohet me studentët.

“Sigurisht që duhen marrë masa që djemtë tanë të mos na ikin, por para se ta bëjmë këtë, ne duhet ta bëjmë Shqipërinë të dëshirueshme para se të kalojmë në masa ekstreme. Në sytë e mi kjo është një masë shumë eksteme dhe nxitimi juaj është i papërshtatshëm pasi ka shumë arsye që ju nuk keni pse të nxitoheni, aq më shumë të përfshini edhe këtë kontigjent që sapo hyn në këtë masën tuaj drastike. Nuk është konsultuar ky pr/ligj me grupet e interesit që janë vetë studentët, as konsultim publik të gjerë nuk është bërë. Kështu që nuk e shoh të arsyeshme që të përshpejtohet dhe të vijë në Parlament me kaq nxitim”, tha deputetja.

Sipas Açkës, kemi të bëjmë me shkelje të të drejtave të njeriut dhe studentët do të protestojnë.

“Është e papranueshme që ne të vendosim me dhunë, pa i bindur dhe pa krijuar mjedisin e këndshëm, mundësinë për t’i sqaruar njerëzit që përse i marrim këto masa. Sepse jam e sigurt që studentët do të protestojnë. Edhe unë jam për të marrë masa që fëmijët të mos na ikin, por jo këto forma absurde të cilat i kemi harruar”, shtoi ajo.

Qeveria miratoi pr/ligjin që studentët e mjekësisë që nisin këtë vit duhet të punojnë 5 vite në Shqipëri dhe më pas do të mund të tërheqin diplomën.

Pr/ligji do të kalojë me procedurë të përshpejtuar në komisionet parlamentare dhe në Kuvend.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSOFT NEWS – Turistët mund të marrin në Japoni rroba me… qira?
Artikulli tjetërTitulli i parë joqeveritar në Bursë, Mete: Shembull për listime të tjera nga kompanitë