Ballina Aktualitet

Karçanaj: 7 ndryshime thelbësore për reformimin e Kadastrës

TIRANË, 30 qershor /ATSH/ Drejtoresha e AKSHI-t, Linda Karçanaj deklaroi sot se, “historia e pronësisë në Shqipëri ka qenë plaga më e madhe e këtyre 30 viteve të tranzicionit dhe shtetit shqiptar”.

Në prezantimin e reformës për Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, Karçanaj prezantoi shtatë ndryshimet thelbësore që kanë ndodhur për reformimin e Kadastrës.

“Në kushtet aktuale sistemi i Kadastrës ka ndryshuar rrënjësisht. Qytetarët e kanë shumë të lehtë tashmë të shesin dhe blejnë pronën e tyre. S’kanë më nevojë për 100 dokumente shtet me shtet, që një muaj rresht iu duhet të trokisnin në çdo derë që t’i siguronin. Tani këtë punë e bën shteti për ta, dhe në fund kanë certifikatë me vulë elektronike, me nënshkrim elektronik, që u hap çdo derë”, u shpreh ajo.

Karçanaj përmendi 7 punët kryesore që sollën këtë transformim në atë që ajo e cilësoi si, “bankën e pronave të Shqipërisë, Kadastrën”.

Së pari, u shpreh Karçanaj, “kemi përmirësuar ndjeshëm teknologjinë dhe kemi përmirësuar të 74 shërbimet elektronike të Kadastrës në portalin e-Albania. Është implementuar plotësisht radha “first-in, first-out”. Them plotësisht, sepse ka qenë e implementuar dhe më parë, por ishte ndryshe radha e qytetarëve që aplikonin në e-Albania dhe ndryshe radha e noterëve në një sistem tjetër. Që do të thotë, i jepej prioritet noterëve. Qytetari nuk aplikonte vetë, sepse e dinte që po të shkonte tek noteri do trajtohej më shpejt. Tani është e njëjta radhë”.

“Zyrtari i Kadastrës nuk shikon fare kë ka për të trajtuar. Nuk e merr dot atë numrin, të 10-in, ta trajtojë të parin sepse i janë futur mik për të. Ka vetëm aplikimin e radhës dhe mund të trajtojë vetëm atë dhe nuk bën dot asnjë veprim. Këto zhvillime i kanë dhënë fund sekserëve, të cilët ndërhynin për të fituar dhe për të kaluar aplikime pa radhë”, tha ajo.

Së dyti, vijoi Karçanaj, “kemi shmangur abuzimin e zyrtarëve të Kadastrës, të cilët shtynin pafund procesimin e aplikimit, nën pretekstin që po bënin aktverifikimin. Ka qenë totalisht jashtë sistemit aktverifikimi, nuk kuptonte njeri se ç’bëhej. Kërkohej një dokument, një tjetër, një tjetër dhe pastaj vazhdohej me aplikimet e radhës për interesat e tyre. Tashmë çdo gjë është e monitorueshme në sistem dhe nuk ka shans t’i kërkohen qytetarit gjëra kot, të panevojshme”.

“Së treti, kemi implementuar shërbimin e përshpejtuar, “fast-track”-un. Ai që ka një hall me Kadastrën paguan shërbimin dhe e merr në kohë rekord. Por, ajo që është e rëndësishme këtu është që lekët nuk shkojnë në xhepat e sekserëve, as të zyrtarëve të korruptuar, por shkojnë në buxhet dhe ripërdoren për modernizimin, ripërdoren për përmirësimin e proceseve të punës, për ndryshimin e infrastrukturës, e cila është tërësisht e re dhe ka sjellë vërtetë përshpejtim të proceseve të punës”, nënvizoi Karçanaj.

“Së katërti, u unifikua më në fund sistemi. Ishte sistemi i parë, sistemi i vjetër, sistemi i ri. Shumë sisteme në Kadastër. Tani ka një sistem të unifikuar, të integruar, sistemi multifunksional. Është e pamundur të bësh ndërhyrje të paautorizuara në regjistrin e pronës”, tha Karçanaj.

“Së pesti, dhe për këtë janë dëshmitarë të gjithë, nuk ka më vula me bojë në Kadastër. Ky ndryshim që është lehtësim, por në radhë të parë është siguri, tregon që institucioni është përshtatur proceseve digjitale të punës duke rritur transparencën, por edhe efikasitetin. Tani jemi në fazën që kushdo aplikon në e-Albania dhe pastaj merr dokumentin me vulë elektronike, me nënshkrim elektronik”, shtoi ajo.

“Së gjashti, dhe për këtë jemi vërtetë krenarë, transaksionet e të dhënave të pronës, të bankës më të rëndësishme tani ruhen në teknologjinë block-chain. Kjo teknologji bën të mundur që të kemi tashmë një regjistër të përhershëm. Këtij regjistri çdo ndryshim që i bëhet, njoftohet në kohë reale qytetari nëpërmjet e-Albanias dhe nuk do t’i lëvizet më as presja. Së shpejti teknologjinë block-chain do ta aplikojmë edhe në arkivat digjitale, të cilat rriten çdo ditë. Teknologjia block-chain, i ka vënë vulën e sigurisë, por edhe të besueshmërisë, çështjes së pronave në Shqipëri”, theksoi Karçanaj.

Së shtati, vijoi Karçanaj, “pjesa më e madhe e proceseve të punës së ASHK-së, tashmë janë të riinxhinierizuara dhe sistemi është përshtatur me këtë riinxhinierizim. Nuk do të ketë më shefa zonash, që ndajnë aplikimet, është sistemi shef i zonës. E ndan sistemi në varësi të fluksit, në varësi të llojit të aplikimit, ku e çon aplikimin e radhës”.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoncerti i Enrique Iglesias çel Javën e Kulturës Spanjolle
Artikulli tjetërKarçanaj: Së shpejti do të pilotojmë Kadastrën 3-dimensionale