Ballina Aktualitet

Konstituohet këshilli bashkiak i Himarës

TIRANË, 27 qershor/ATSH/ Në bashkinë e Himarës u zhvillua sot konstituimi i këshillit bashkiak.

Në konstituimin e këshillit bashkiak të Himarës ishte i pranishëm kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi, deputeti i Partisë Socialiste Blendi Klosi, etj.

Në krye të këshillit bashkiak është zgjedhur Dhimitër Kapaj me 13 vota nga 21 që janë në total.

Kandidati i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Fredi Beleri, nuk mori pjesë në mbledhje pasi dje GJKKO rrëzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës të tij për autorizim të veçantë, në mënyrë që ai të linte ambientet e spitalit të burgut, për t’u paraqitur në konstituimin e këshillit bashkiak.

Në një letër drejtuar qytetarëve të Himarës, Beleri thekson se “sot, në ditën e marrjes së detyrës si kryetar i bashkisë Himarë, megjithëse kërkova leje për të marrë pjesë dhe njëherësh përgjegjësinë që më ngarkuat me rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit 2023, ma refuzuan”.

“Sot më penguan të marr detyrën duke tjetërsuar për momentin, rezultatin e zgjedhjeve. Pavarësisht kësaj, unë ende besoj në fuqinë e së vërtetës. Unë ende besoj në fuqinë e së mirës dhe virtytit”, tha Beleri.

Kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule në një prononcim për mediet u shpreh se “ne do të vazhdojmë politikisht betejën tonë në të gjitha instancat brenda dha jashtë vendit. Demokracia shteti i së drejtës janë në rrezik dhe po nuk e kuptuam tani nesër do të jetë vonë”.

Ndërsa ambasadorja e Greqisë, Kamitsi tha për mediet se “mungesa e Belerit sot në mbledhjen e parë të konstituimit, përbën një goditje të madhe të shtetit të së drejtës dhe dhe parimin themelor të prezumimit të pafajësisë. Do të ishte regres i madh që Shqipëria në fushën e shtetit të së drejtës, që të humbasë të drejtën e kryerjes së detyrave të tij një kryetar bashkie, zgjedhur në mënyrë demokratike, i cili nuk është gjykuar apo dënuar. BE është mbi të gjitha komunitet parimesh që duhet t’i zbatojë çdo vend që dëshiron të bëhet anëtar i tij”.

Policia e Shtetit arrestoi mesnatën e 12 majit Fredi Belerin, kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Himarës nën akuzën për blerje votash. Fredi Beleri u shpall fitues në zgjedhjet vendore të 14 majit.

/k.s/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFestivali Folklorik Kombëtar, tradita që përcillet brez pas brezi
Artikulli tjetërNikolla pret Sobotka: Rrisim mbështetjen dhe partneritetin për reformat integruese