Ballina Bota

MOSKE – Putin i quan ‘tradhti’ veprimet e Prigozhin-it

MOSKE, 24 qershor /ATSH-AA/ – Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi shefin grupit paraushtarak Wagner për “tradhti”.

Duke iu drejtuar kombit, ai tha se Forcave të Armatosura Ruse u janë dhënë urdhra për të “neutralizuar ata që organizuan rebelimin e armatosur”.

“Të gjithë kriminelët që po tentojnë rebelim të armatosur do të ndëshkohen në mënyrë të pashmangshme”, tha Putin.

Çdo trazirë në vend është “kërcënim vdekjeprurës”, tha ai, duke shtuar se veprimet e Moskës do të jenë “të ashpra”.

Presidenti rus tha se do të bëjnë gjithçka për ta mbrojtur Rusinë.

“Nuk do të lejojmë që një luftë civile të ndodhë përsëri dhe do të mbrojmë popullin dhe shtetin tonë”, tha Putin.

Megjithatë, Putin lavdëroi luftëtarët e Wagnerit në Ukrainë, duke i quajtur “heronj”.

Rusia ka akuzuar shefin e Wagnerit, Yevgeny Prigozhin, për nxitje të një rebelimi pasi forcat e tij në Ukrainë kaluan në qytetin rus të Rostovit.

Tensionet midis Kremlinit dhe Wagnerit u rritën pasi Prigozhin akuzoi forcat ruse për sulm ndaj mercenarëve të tij, duke u zotuar të hakmerret.

Rusia i mohoi këto pretendime dhe lëshoi urdhra arresti për Prigozhinin.

Prigozhin në muajt e fundit e ka akuzuar vazhdimisht Rusinë për mosfurnizim me armë të mjaftueshme për grupin paraushtarak.   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta: Shpopullimi i fshatit, po sjell shfarosjen e blegtorisë
Artikulli tjetërGrabiti 30 000 euro në pikën e këmbimit valutor, Policia: 5 000 euro shpërblim për informacion