Ballina Bota

Zbulohet tuneli i shpëtimit i kohës së Luftës së Ftohtë në Berlin

BERLIN, 18 qershor /ATSH-DPA/ – Një tunel i ngushtë shpëtimi, i kohës së Luftës së Ftohtë, i gërmuar nën Murin e Berlinit u zbulua së fundmi gjatë punimeve të ndërtimit në kryeqytetin gjerman.

Tuneli, rreth 50 centimetra i gjerë dhe 70 centimetra i lartë, u zbulua nën një rrugë në Berlinin qendror që dikur ishte kufiri i fortifikuar midis Gjermanisë Lindore komuniste dhe enklavës së kontrolluar nga aleatët perëndimorë.

“Tuneli u zbulua në fillim të qershorit gjatë ndërtimit të një vendbanimi”, raportoi gazeta lokale e Berlinit BZ.

“Ekzistenca e tunelit dihej tashmë, por studimet gjeofizike kishin sugjeruar se ai ishte më i thellë nën tokë”, tha një zyrtar i ruajtjes historike të Berlinit.

Regjimi i Gjermanisë Lindore ndërtoi Murin e Berlinit për të bllokuar qytetarët që të iknin në Gjermaninë Perëndimore kapitaliste.

Nga dëshpërimi, shumë njerëz u përpoqën të shkonin në perëndim përmes rrugëve nëntokësore.

Sipas Memorialit të Murit të Berlinit, kishte të paktën 12 tunele të tjerë shpëtimi të gërmuar përgjatë shtrirjes së rrugës Bernauer ku u zbulua tuneli i fundit. //a.i/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakAksidenti në Maqedoni të Veriut, Sveçla: Kemi ngritur të gjitha kapacitetet
Artikulli tjetërPolicia verifikon lajmin për shpërthime: Gurorja në Halilaj, e mbyllur që në janar