Ballina Flash

Ditët Evropiane të Arkeologjisë

TIRANË, 16 qershor/ATSH/ Kjo fundjavë i kushtohet e tëra arkeologjisë. Ditët Evropiane të Arkeologjisë, të cilat përkojnë me datat 16, 17 dhe 18 qershor, organizohen për të dytin vit radhazi edhe nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore. Kjo është një iniciativë e Institut National de Recherches Archéologiques Préventives.

Eventi ka si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku shtetet pjesëmarrëse angazhohen të përfshijnë aktivitete sipas një programi të caktuar.

Ditët Evropiane të Arkeologjisë nisën të gjejnë përhapje në 2019-ën, ku shtetet e përfshira u angazhuan të rrisin ndërgjegjësimin dhe të njohin audiencën evropiane me të gjitha aspektet e arkeologjisë.

Gjatë kësaj fundjave do të organizohen një sërë ngjarjesh, që synojnë angazhimin e familjeve, shkollave, studentëve, entuziastëve të historisë, vizitorëve të muzeut, si dhe pjesëmarrësve thjesht kureshtarë për të zbuluar këtë disiplinë të shumëanshme dhe trashëgiminë e tyre arkeologjike. Pavarësisht kohërave sfiduese që po kalon Evropa, arkeologjia shihet edhe si një disiplinë e cila mund t’i bëjë bashkë evropianët.

Ditët Evropiane të Arkeologjisë synojnë të ndajnë trashëgiminë arkeologjike në të gjithë Evropën dhe ta bëjnë kulturën të aksesueshme për të gjithë.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBritania bën thirrje për lirimin e menjëhershëm të tre policëve të Kosovës
Artikulli tjetërF1 – Kanadaja stacioni i radhës