TIRANË, 8 qershor/ATSH/ Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet një shkrese të firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Turdiu, ka njoftuar Kuvendin mbi nisjen e procedurave për emërimin në shërbimin e jashtëm të disa kandidatëve për ambasadorë.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, ka propozuar 12 kandidatë të cilët do t’i nënshtrohen seancës dëgjimore në Komisionin e Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Sipas shkresës të publikuar nga zyra e shtypit e Kuvendit bëhet me dije se kryediplomatja Xhaçka ka propozuar kandidaturën e Ridi Kurtezit, si kandidatë për ambasador në Emiratet e Bashkuara Arabe, Zhaklina Petron, për ambasadore në Malin e Zi, Ervin Bushatin si kandidat për ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë, Republikën Domenikane, Republikën e Guatemalës dhe në Republikën e Kosta Rikës, jo rezident; Adia Sakiqi ambasadore në Gjermani dhe Ilir Gjoni në NATO.
Gjithashtu është propozuar Vasilika Hysi, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë, në Misionin e Përhershëm të Republikës së Shqipërisë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara dhe Organizatave të tjera Ndërkombëtare në Gjenevë, rezident; Meri Kumbe, kandidat për Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetin e Izraelit, rezident.
Xhaçka ka propozuar Fatmir Velaj si Ambasador në Austri; Blerta Kadzadej, kandidate për Ambasadore në Turqi rezidente dhe jo rezidente në Azerbajxhan, Iran, Kirgistan, Pakistan, Gjeorgji, Afganistan dhe Kazagistan; Majlinda Frangaj në Selinë e Shenjtë në Vatikan; Mustafa Nano, kandidat për Ambasador në Zvicër si rezident dhe Lihtenshtajnit jo rezident; si dhe Uran Ferizi, kandidat për Ambasador në Britaninë e Madhe dhe jo rezident në Irlandë.


/r.e/






















