Ballina Bota

GJERMANI – Baerbock: E drejta ndërkombëtare e qartë për çështjen e arrestimit të Putinit

GJERMANI, 2 qershor /ATSH-DPA/ – E drejta ndërkombëtare është e qartë për çështjen e kriminelëve të luftës, tha Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock në përgjigje të ftesës së presidentit rus, Vladimir Putin për të marrë pjesë në një samit në Afrikën e Jugut.

Baerbock mori pjesë në një takim të vendeve baltike në Gjermani, pasi ministri i Jashtëm i Afrikës së Jugut, Naledi Pandor bëri të qartë dje se të pesë krerët e shteteve të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut ishin ftuar në samitin që do të mbahej nga 22 deri në 24 gusht, në Johanesburg.

Afrika e Jugut është nën presion për të arrestuar Putinin kur ai të arrijë në mbledhjen e kombeve të njohur si BRICS, pasi ai është subjekt i një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC), në Hagë në muajin mars.

“E drejta ndërkombëtare është e qartë në këtë pikë. Kriminelët e luftës, ata që janë përgjegjës për kryerjen e luftërave të agresionit, do të duhet të përgjigjen në një moment”, tha Baerbock.

Afrika e Jugut është nënshkruese e statutit të ICC.

Ajo u kritikua në vitin 2015 kur refuzoi të arrestonte presidentin e atëhershëm sudanez Omar al-Bashir dhe ta ekstradonte atë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale.

Në bisedimet përgatitore në Cape Town të enjten, ministrat e Jashtëm të pesë vendeve diskutuan një bashkëpunim më të mirë mes tyre dhe me G20.

Në takimin ministror u ngrit pyetja nëse vendet si Arabia Saudite, Egjipti dhe 17 të tjerë që kanë aplikuar për t’u bashkuar me BRICS duhet të pranohen.

Përveç kësaj, ministrat diskutuan çështjet si varfëria dhe pabarazia globale. Megjithatë, vendimet përfundimtare do të merren vetëm gjatë samitit. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFranca, kontribut në konsolidimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri
Artikulli tjetërKampionati U-16 për vajza, Vllaznia shpallet kampione për herë të dytë radhazi