RIO DE ZHANEIRO, 27 maj /ATSH-DPA/ – Presidenti i Brazilit, Luiz Inacio Lula da Silva tha se ai ka refuzuar një ftesë të presidentit rus Vladimir Putin për të vizituar Moskën, gjatë një telefonate me liderin rus.
“E falënderova për ftesën në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petërburg dhe iu përgjigja se nuk mund të udhëtoj në Rusi për momentin”, shkroi Lula në Twitter të premten.
Por, ai përsëriti se Brazili, si India, Indonezia dhe Kina, ishin të gatshëm të “bisedonin me të dyja palët e konfliktit për të ndërtuar paqen”, shkruante politikani i majtë, duke iu referuar luftës së Rusisë në Ukrainë.
Sipas Kremlinit, Lula kishte marrë iniciativën për këtë telefonatë.
Putin dha “vlerësimin e tij bazë të zhvillimit të situatës në Ukrainë”, tha ai në një deklaratë pas bisedës.
”Rusia ishte e hapur për dialog në nivel politik”, citohet të ketë thënë Putin.
Në muajt e fundit, Lula ka mbrojtur vazhdimisht ndërmjetësimin ndërkombëtar në luftën e Ukrainës me pjesëmarrjen e Brazilit dhe Kinës.
Gjatë një vizite në Kinë në prill, kreu i shtetit dhe i qeverisë së vendit më të madh të Amerikës së Jugut shkaktoi acarim të konsiderueshëm në SHBA dhe Evropë duke kritikuar ndihmën ushtarake të ofruar për Ukrainën nga NATO dhe vende të tjera.
Disa ditë më vonë, ai kritikoi sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, por nuk bëri thirrje për tërheqjen e trupave ruse.
Të enjten, sipas tij, Lula kishte folur në telefon me kreun e shtetit kinez dhe liderin e partisë Xi Jinping dhe kishte diskutuar ndër të tjera për Ukrainën./ a.jor.























