Ballina Flash

Rama pret në COD 56 studentë të Harvardit

TIRANË, 26 maj/ATSH/ Kryeministri Edi Rama mirëpriti në ambientet e Qendrës për Hapje dhe Dialog (COD) 56 studentë nga Universiteti i Harvardit, të cilët vizitonin për herë të parë Shqipërinë.

Vizita e studentëve të Harvardit ishte pjesë e një turi në 6 vende të Ballkanit Perëndimor.

Të rinjtë nga e gjithë bota u njohën me historikun dhe veprimtarinë e Qendrës për Hapje dhe Dialog si edhe mësuan më shumë mbi aspiratat e Shqipërisë në rrugën drejt BE-së.

Studentët u njohën edhe me marrëdhëniet e Shtetit Shqiptar në raport me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ky takim në COD u zhvillua në bashkëpunim me Regional Youth Cooperation Office (RYCO).

Përfaqësuesit e RYCO-s në Shqipëri prezantuan përpara studentëve themelimin e kësaj organizate, përvojën e tyre personale në shoqërinë civile, si edhe një studim që kjo zyrë ka bërë në lidhje me perceptimet e të rinjve mbi të kaluarën dhe paqen të quajtur “E ardhmja e përbashkët”.

Si rezultat i këtij studimi, gjysma e të rinjve shqiptarë mendojnë se integrimet në BE janë faktori më i rëndësishëm në krijimin e paqes dhe stabilitetit afatgjatë në Ballkanin Perëndimor.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakArkeologu Ceka: Kërkimet e qytetërimit antik ilir duhet të shtrihen në mbarë hapësirën shqiptare
Artikulli tjetërTOKIO – Japonia vendos sanksione të reja kundër Rusisë