TIRANË, 26 maj/ATSH/ Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari deklaroi sot se, faktet e paraqitura nga opozita për manipulimin e zgjedhjeve janë të qarta për sytë e publikut dhe organeve ligjzbatuese.
“Denoncojmë masakrën zgjedhore të 14 majit e ideuar dhe zbatuar nga qeveria e Rilindjes. Në përpjekje për të mbuluar masakrën elektorale, qeveria e Rilindjes po shpik ngjarje të ndryshme për të tërhequr vëmendjen nga krimi zgjedhor i bërë në të gjithë Shqipërinë”, tha Braimllari, në një deklaratë për mediet.
Sipas tij, denoncimet e opozitës dhe të medies faktojnë përditë masakrën zgjedhore në shumicën e bashkive të vendit.
“Heshtja e prokurorisë, KQZ dhe të gjitha institucioneve ligjzbatuese i bën bashkëfajtorë në vjedhjen e zgjedhjeve të 14 majit. Teksa kandidatët e opozitës hetohen dhe arrestohen me prova të dyshimta për asnjë nga kandidatët e Ramës dhe zyrtarët e qeverisë, prokuroria dhe SPAK-u nuk kanë nisur asnjë hetim, megjithëse është provuar përfshirja e tyre në vjedhjen dhe manipulimin e zgjedhjeve”, tha ai.
Braimllari bëri të ditur se, përpjekjet e opozitës nuk do të ndalojnë deri në zbardhjen përfundimtare të këtij krimi elektoral.
/gj.m/r.e/























