TIRANË, 25 maj/ATSH/ Muzeu Lëvizës “Tradita.al” qëndroi përgjatë dy ditëve në qytetin e Durrësit, si pjesë e aktiviteteve në kuadër të Javës së Turizmit.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako solli në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e 2 ditëve me rastin e kësaj jave.
“Sollëm në Durrës Muzeun Lëvizës “Tradita.al”, i cili qëndroi i hapur për dy ditë për të gjithë qytetarët dhe turistët, të cilët patën mundësinë të shikonin nga afër veshjet tradicionale dhe suvenire nga treva të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë dhe qytetin e Durrësit”, u shpreh ajo.
“Gjithashtu, zhvilluam dhe një aktivitet sensibilizues për pastrimin e ambientit në zonën e Sektorit Rinia me vullnetarë të lëvizjes River Cleanup dhe nxënës të shkollave të mesme të Durrësit”, tha Sako.
Sako vuri në dukje se në Durrës vijon puna e përditshme për pastrimin e qytetit dhe njësive administrative, ndërsa afron çelja zyrtare e sezonit veror turistik.
/r.e/












