TIRANË, 12 maj /ATSH/ Kryebashkiaku, njëherazi kandidat i PS-së për bashkinë Pukë, Gjon Gjonaj, gjatë një takimi me qytetarët, ku i pranishëm ishte dhe Kryeministri, njëherazi kryetar i PS, Edi Rama, tha se, sot Puka ka një zhvillim të turizmit malor gjithëvjetor.
Gjonaj tha se, “ne e nisëm rrugëtimin tonë në 2015, ku këtu gjetëm kioska, prapambetje, nepotizëm, i cili për mua ishte jo funksional. Sot ne kemi një ndërmarrje funksionale, e cila mund të quhet pushtet vendor, e cila na përmirësoi gjithçka që ka të bëjë me ne. Mjeti për të shkuar përpara ishin burimet njerëzore, ndërsa drejtimi ishte zhvillimi i turizmit malor gjithëvjetor. Për këtë insistuam dhe duhej shumë punë, e cila nuk mund të bëhej pa mbështetjen që na dha qeveria. Nuk ka vend në Republikë që kryeministri, jo vetëm na ka dhënë ndihmë, por dhe na promovon”.
Ai u ndal edhe tek investimet që janë bërë e do të bëhen gjatë 4 viteve të ardhshme në këtë bashki.
Gjonaj theksoi se, “këtu u bë një transformim total i infrastrukturës, qoftë rrugore, arsimore dhe spitalore. Sot Puka është bërë ashtu siç duhet për zhvillimin e turizmit malor. Këto pika kanë qenë dikur vatra infeksioni e sot janë kthyer në vatra atraksioni”.
Ai shtoi se, “programi jonë për 4 vitet e ardhshme shquhet për vendimmarrje shumë të guximshme, ku duhet veçuar, jo vetëm ndryshimi i infrastrukturës, por duhet përcaktuar qartazi çfarë rrugë do të marrim në zhvillimin shkollor. Ne kemi ngritur një konvikt, i cili do të shërbejë për grumbullimin e të rinjve dhe decentralizimin e disa shkollave, ku mësues me aftësi profesionale të zgjidhin problemet e të kemi një nivel më të lartë. Në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit janë bërë programe të qarta për funksionimin e saj, për përballimin e transportit të tyre.
Gjonaj tha se, “një tjetër detyrë e madhe që do të kapërcehet brenda vitit 2024 është certifikimi i pronës, pra të bëjmë pronat me pronar”.
/r.e/












