TIRANË, 12 maj/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se, “arrestimi i kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” në bashkinë Himarës, Fredi Beleri është një veprim i verbër politik, një hakmarrje e verbër politike e Edi Ramës ndaj një kandidati të opozitës, me manipulime, me angazhim të një manipulatori dhe ish-bashkëpunëtori të bandave, që drejton sot Policinë e Vlorës dhe që quhet, mos gaboj, Ermal Muça”.
Në një konferencë për shtyp, Berisha theksoi se, “ky ka qenë bashkëpunëtor me bandën e Shullazit dhe banda të tjera dhe unë dënoj aktin, dhunën ndaj përfaqësuesit të opozitës, sikundër dënoj çdo akt shitblerje vote kudo që kjo të ketë ndodhur”.
Por, vijoi Berisha, duhet të informoj qytetarët shqiptarë se, janë pasionet mafioze, qëllimet mafioze të Edi Ramës ndaj tokave të Himarës, shtytësi i vërtetë i këtyre akteve që po ndodhin në Himarë.
“Sikundër, përdorimi i dhunës është një akt in-ekstremis për të trembur zgjedhësit në këtë komunitet dhe jo vetëm aty. Unë kam gjetur në Dropull një klimë terrori, ku policia thërriste zgjedhësit dhe u bënte presion të mos votojnë për kandidatin tonë të shkëlqyer, Thanas Manekën, por të votonin për kandidatin e Edi Ramës. Terror është ushtruar nga Belinda Balluku, e cila shoqërohet me banditë dhe drejtorë. Është ushtruar në Pukë nga kriminelë të armatosur të Gjon Gjonajt. Por këto nuk do pengojnë fitoren e opozitës shqiptare më 14 maj”, nënvizoi Berisha.
Berisha u shpreh se, “i them Edi Ramës se me dhunë dhe terror, do bëhesh përgjegjës para ligjit se ke bërë prokurorin ndaj Fredi Belerit. Ka një javë që e ka bërë epiqendër e sulmeve të padenja për një njeri. Po të jetë puna për blerje votash, ato në mënyrën flagrante janë tentuar duke u dhënë bonusin mbi 600 mijë pensionistëve në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, të cilin Edi Rama e konsideron kinezeri; me përdorimin masiv të punësimeve”.
“Vetëm pensionistë janë shtuar 13 mijë në këtë periudhë, pa kontribute. Vetëm për aftësitë ndryshe janë shpërndarë në Dibër 400 milionë lekë nga Thesari, etj. Janë shpërndarë në Shqipëri 10 miliardë lekë. Kjo ka qenë masive dhe nëse ka një njeri që ka kryer një megakrim elektoral, është Edi Rama, Belinda Balluku, Taulant Balla, Damian Gjiknuri, Olta Xhaçka, Elisa Spiropali, Tom Doshi e me radhë”, tha Berisha.
Duke folur për zgjedhjet Berisha tha se, “14 maji është dita e kurorëzimit të plotë të pluralizmit politik, e triumfit të ndryshimit dhe të kandidatëve tanë”.
“Shpreh mirënjohje të pakufishme ndaj qytetarëve, mirënjohje të pakufishme ndaj kandidatëve tanë për frymën qytetarë që përcollën në këtë fushatë, krahasuar me kandidatët e territ, e valixheve me euro krimi, të cilët nuk guxuan kurrë njësoj si kryetari i tyre të paraqiten në debate televizive apo sheshe para qytetarëve për të debatuar për alternativën dhe bilancet”, tha Berisha.
/k.s/r.e/























