Ballina Flash

Rama: Vota e 14 majit, test karakteri për zgjedhësit e djathtë

TIRANË, 11 maj/ATSH-Maela Marini/ Kryeministri, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, Edi Rama u shpreh sot se vota e 14 majit është më shumë një test karakteri për zgjedhësit e djathtë, sesa një test fitoreje për zgjedhësit e majtë.

Në takimin përmbyllës të fushatës elektorale në Tiranë, Rama shprehu bindjen se Erion Veliaj do të bëhet kryetari i bashkisë përsëri me diferencën më të thellë të tre mandateve të tij, por kjo nuk mjafton”.

“Kjo mjafton për Lali Erin, për PS-në, por jo për Tiranën dhe për Shqipërinë. Për Tiranën e Shqipërinë ka shumë rëndësi edhe testi i karakterit të zgjedhësve të rreshtuar djathtas, të atyre që thonë ‘ne kurrë nuk e japim votën tonë për socialistët, kurrë nuk votojmë majtas'”, tha Rama.

Rama tha se në 14 maj nuk janë të detyruar të vijnë të votojnë PS-në, as Lali Erin, por duhet të kenë shumë kujdes të mos vijnë të votojnë për ata që janë problem i Amerikës dhe Perëndimit.

“Mirë është të votojnë për një kryetar bashkie që e ka treguar se nuk e drejton Tiranën duke anuar majtas dhe duke kthyer kurrizin djathtas. Edhe sikur kjo të jetë e tepërt dhe të thonë nuk e votojmë, çfarë do bëni në 14 maj, sepse përtej bashkive është një test karakteri i shqiptarëve në raport me flamurin kuqezi”, shtoi Rama.

Ai shtoi se sot Tirana është shumë herë më e madhe dhe që do të rritet akoma më shumë.

“Ajo që dua të shtoj është fakti se Tirana sot nuk është më Tirana që kam drejtuar unë, është shumë më e madhe. Nuk është më vetëm qyteti i rrethuar nga komunat në vijën e vjetër të tij. Tirana mbaronte tek Astiri, në Kinostudio, aty ku sot mbaron Bulevardi i Ri, mbaronte këtu ku jemi ne. Më mbrapa nuk ishte Tirana, ishte Farka. Sot shtrihet deri në Ndroq, Zall-Bastar, deri lart në Dajt. Potencialet e kësaj Tirane janë ende për t’u zbuluar dhe për t’u vënë në dispozicion të një rritjeje ekonomike, që të jeni të bindur në 4 vitet e ardhshme do të jetë shumë më e madhe për banorët e kryeqytetit, qoftë për ata që banojnë në qendër, apo qoftë për ne katunarët që banojmë në periferi. Si banor periferie ju them që ky kryeqytet sot, nuk është më kryeqyteti që ishte. Një qytet në fillim komplet i varrosur nën paligjshmërinë dhe pluhurin e një rrëmuje të paparë, që u quajt kapitalizmi demokratik, as kryeqyteti që filloi të dilte nga ajo situatë dhe filloi të ecte përpara. Ky është kryeqyteti i krenarisë tonë kombëtare”, nënvizoi Rama.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKrifca: AgroPark Tirana në Farkë i shërben edhe fermerëve në Baldushk
Artikulli tjetërPS mbyll fushatën në Tiranë, Veliaj: Çdo punë e kthejmë në vlerë për qytetin