Ballina Flash

Berisha: Programi i kandidatit tonë do të ndryshojë Lushnjën

TIRANË, 10 maj/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit në PD, Sali Berisha u ndal në Lushnjë këtë pasdite, në vijim të turit elektoral për zgjedhjet vendore të 14 majit, ku u kërkoi qytetarëve mbështetje për kandidatin e koalicionit  “Bashkë Fitojmë”, Eduart Sharka.

“Sot në Lushnjë dhe mbarë Shqipërinë garojnë dy alternativa. Njëra alternativë që buron nga ju, kandidatët i keni zgjedhur ju. Kandidatët që keni zgjedhur kanë trokitur derë më derë, zemër më zemër. Kanë ndërtuar një program kryekëput për qytetarët. Kandidatët që keni zgjedhur, i keni zgjedhur me vetitë më të arrira dhe ju garantoj se programi i tyre do të ndryshojë Lushnjën dhe Shqipërinë”, u shpreh Berisha.

“Në krahun tjetër, janë kandidatët e bodrumit të Edi Ramës, që nuk kanë lidhje me qytetarët, për të cilët nuk ka votuar asnjë qytetar i vetëm”, vijoi ai.

“Nga viti 1992 gjer sot, ne nuk kemi patur zgjedhje kaq të rëndësishme, kaq jetike, dhe jo për një parti politike, jo për Sali Berishën, apo një person tjetër, por për çdo qytetar, për secilin prej jush, për çdo demokrat, socialist, të paparti, për çdo të pakënaqur, sepse me këtë regjim shkohet nga e keqja në zi”, u shpreh Berisha në takim.

“A nuk kërkoi ky më parë, më jepni mua tepsinë. A nuk u sul me tërbim për të vjedhur pasuritë e qytetarëve shqiptarë, a nuk përdori ky, bordet për të rritur çmimet, a nuk rriti ky çmimin e energjisë elektrike për bizneset me 220 lekë, në një kohë kur në këtë vend asnjë kilovat-orë nuk prodhohet nga nafta. Pra ky ka vetëm një qëllim, pasurimin e tij dhe të klaneve të tij. Dhe për këtë, ai vjedh, vjedh në mënyrë të papërmbajtur”, vijoi Berisha.

Sipas tij, të ecësh përpara me Edi Ramën, do të thotë të ecësh përpara drejt greminës,
të vraposh drejt varfërisë, të vraposh drejt boshatisjes së Shqipërisë.

“Të ecësh përpara me Edi Ramën do të thotë të vraposh drejt shkatërrimit të shërbimeve, arsimit, shëndetësisë, biznesit. Pra a është jetik ndryshimi sot? Pak vite më parë njerëzit e ndjenin se duhej ndryshimi. Por pati nga ata që menduan përsëri se Edi Rama mund të sjellë ndryshimin. Koha faktoi se ky ishte një mendim shumë i gabuar, sepse Edi Rama jo që nuk solli ndryshimin, por solli përkeqësimin dhe vetëm përkeqësimin e gjendjes ekonomike të shqiptarëve. Vendosi mbi ta me shpejtësi të madhe, tiraninë e varfërisë”, tha Berisha.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDETROIT – Pezullohet nga detyra oficeri i sigurisë së aeroportit për keqtrajtimin e qenit!
Artikulli tjetërBalla: Me Eriseldën kemi filluar fazë të re të transformimit të Lushnjës