TIRANË, 30 prill/ATSH/ Kryetari i Komisionit të Rithemelimit i Partisë Demokratike, Sali Berisha prezantoi sot kandidatin e koalicionit “Bashkë fitojmë” për bashkinë e Fusha-Arrëzit në zgjedhjet e 14 majit, Hil Currin.
“Në dallim me të gjitha takimet që kemi bërë deri sot, për të paraqitur kryetarë bashkie e deputetë, sot unë vij për të paraqitur jo kandidatin tim, apo të kryesisë së PD-së, por për të paraqitur Hil Currin, kandidatin tuaj. Kandidatin e vullnetit tuaj të lirë, e votës tuaj, e dinjitetit tuaj. Njëkohësisht Hil Curri, pasi meritoi besimin tuaj, ka fituar mbështetjen jo vetëm të PD-së, por edhe të 24 partive të tjera, të spektrit opozitar, pra mbështetjen e mbarë popullit opozitar”, tha Berisha.
Sipas tij, këto zgjedhje në të vërtetë, më shumë se çdo zgjedhje tjetër ndonjëherë që nga 1992, janë zgjedhje në të cilat, çdo shqiptar, demokrat, socialist, i paparti, voton për veten e tij në radhë të parë, voton për fëmijët e tij, për të ardhmen e këtij vendi, dhe kjo duke votuar për Hil Currin.
“Janë vota për veten tuaj, sepse Franc Tuci kandidon, më falni, kandidon dhe nuk ka sot një socialist në Fushë Arrës, që mund të na thotë këtu, se e kam propozuar unë Fran Tucin, apo e kam votuar unë Fran Tucin që të rikandidojë. “Kandidon, pasi ai me fondet e demokratëve, socialistëve, të paparti, ka krijuar parajsën e vet, të enturazhit të tij dhe ka injoruar tërësisht problemet e mëdha të qytetarëve të Fushë Arrësit, të të rinjve, burrave dhe grave të kësaj bashkie dhe qyteti”, shtoi Berisha.
Ai vuri në dukje se Fran Tuci ka disa dosje, në “prokurorinë e partisë”.
“Por në qoftëse i duket se po rëndohet, e ftoj të vijë këtu në këtë shesh, ta zgjedhë ditën dhe ju të gjithë burra e gra aty, bashkë me Hil Currin ti nxjerrin xhepat, të tregojë çdo gjë, çdo qindarkë që kanë, cila është origjina e tyre, çfarë do bëjnë për ju. Por Fran Tuci nuk vjen, se nuk e lë Edi Rama e para, sepse po të dalë Frani me Hilën këtu, detyrohet të dalë edhe ai me Sali Berishën, dhe po të dalë ai me Sali Berishën i themi hajde njëherë të fillojmë pak me pasuritë. Ai në sarajet e Surrelit, Sali Berisha në një apartament si shumica e qytetarëve prej 32 vitesh”, deklaroi Berisha.























