Ballina Aktualitet

Rama: Të çojmë përpara projektet për Libohovën, jo kthim mbrapa

TIRANË, 29 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama i kërkoi sot banorëve të Libohovës mbështetjen për kryetaren e bashkisë, Luiza Mandi, në zgjedhjet e 14 majit, duke theksuar se është e rëndësishme që me votën e tyre të shkohet përpara dhe të vijojnë projektet e nisura.

Në fjalën e tij në takimin e organizuar në Libohovë, Rama tha se, “duam që të vazhdojmë punët e nisura, duhet që libohovitët të na japin këtë mundësi. Po të mos kishim Lizën këtu ne nuk do bënim dot gjë për Libohovën. Është falë faktit që kishim Lizën këtu që ishte njeriu i punës, që ishte njeriu i komunitetit që ishte njeriu i familjes sonë politike, që ne mundëm të çojmë përpara këto projekte”.

Rama theksoi se, “kthimi mbrapa me një votë që shkon qorrazi tek-tuk, se kjo në pjesën më të madhe të bashkive nuk ka për të ndodhur, tek ata të cilët nuk kanë ardhur këtu për të vazhduar punën dhe për të ndriçuar më tutje rrugën e të ardhmes së Libohovës, por kanë ardhur këtu ta marrin peng Libohovën si më përpara, do të bëjë që ne nuk do mundemi dot ta mbështesim, jo se ne nuk duam ta mbështesim, jo se ne do hakmerremi politikisht për një votë qorre, por është e pamundur se ata nuk e bëjnë dot, sepse as nuk dinë, e as nuk duan”.

“Në 31 vite që janë bërë zgjedhjet pluraliste vendore nuk ka një shembull të vetëm që të vërtetojë të kundërtën e kësaj që unë po them. Libohovën e kishin ata, çfarë bënë këtu atë që kanë bërë kudo dhe bëjnë kudo marrin pushtetin dhe zyrat, fusin brenda çetën e tyre dhe nuk ka më asgjë për komunitetin. Mbaron aty, me ca mediokër, fanatikë, dembelë që bëhen bashkë për të parë punët e tyre. Edhe ato pak fonde qe janë në dispozicion nga pushteti vendor i harxhojnë rrush e kumbulla, ndërkohë që fondet e tjera nuk i marrin dot se janë totalisht të paaftë”, nënvizoi Rama.

Në kontekstin e sotëm, vijoi Rama, “është edhe më keq, se as donatorët nuk do të investojnë më në ato bashki që merren peng nga dy njerëz që ju i njihni shumë mirë dhe që janë hall për Shqipërinë sepse hallet e tyre duan t’i zgjidhin përmes marrjes peng ça të munden nëpër Shqipëri”.

“Ata vetëm shajnë, kërcënojnë, dhunojnë me gojë, konfliktohen, sherri shamataja e kudo. Ju e shikoni shumë mirë fushatën tonë, këtu, përveç karrigeve për t’u ulur të gjithë ne, nuk ka as postera në mure, as ekrane të mëdha për të bërë bujë, këto do t’i kemi vetëm për fazën e fundit, pasi ato janë të paevitueshme, të gjitha këto janë para që do të shkojnë për blerjen e pemëve për t’ua dhuruar bashkive”, tha Rama.

/k.s/ /gj.m/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRama në Libohovë: Ambicia jonë, të rrisim pagën minimale në 60 mijë lekë
Artikulli tjetërVrasja e biznesmenit Nikulaj, arrestohet edhe një shtetase britanike