BRUKSEL, 28 prill /ATSH/ – Zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian për Vlerat dhe Transparencën, Vera Jourova kërkon që Bashkimi Evropian të udhëheqë luftën për gazetarët guximtarë që rrezikojnë jetën e tyre për të informuar publikun, si tani në Ukrainë apo në vende me regjime autoritare si edhe të bëhet një qendër e lirisë së medias, në një intervistë me European Newsroom përpara Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, më 3 maj.
Jourova nderoi të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medias ”që rrezikojnë jetën e tyre për të na informuar”, si ata “që tani janë në fushën e betejës në Ukrainë, që janë në vijën e parë nën bombat ruse”, për të cilët “na duhen dëshpërimisht atje” për të ditur faktet.
Politikania çeke tha gjithashtu se po mendonte për gazetarët që “punonin në regjime autoritare dhe ata në burg”.
Në veçanti, ajo përmendi reporterin amerikan Evan Gershkovich, i cili u arrestua nga Rusia në mars, dhe bëri thirrje për “presion të vazhdueshëm” ndaj Moskës për ta liruar atë “sepse ky është një sulm i egër ndaj gazetarëve dhe gjithashtu ndaj lirisë së shprehjes. ”
Por, për të qenë ajo qendër lirie për shtypin, BE-ja duhej të ketë shtëpinë e vet në rregull”, paralajmëroi Jourova, e cila theksoi nevojën për të forcuar pavarësinë e shtypit, për të mbrojtur shërbimet e medias publike dhe për të dhënë informacion mbi pronësinë e kompanive mediatike publike.
Avokatja çeke, e cila më parë ka punuar si komisionere e Drejtësisë e BE-së, theksoi gjithashtu se ajo nuk dëshironte “abuzimin e sistemit gjyqësor kundër gazetarëve dhe lirinë e shprehjes” në Evropë.
Brukseli propozoi Direktivën anti-SLAPP në fund të vitit 2021, një rregullore për të forcuar mbrojtjen e gazetarëve kundër proceseve gjyqësore abuzive.
Paditë Strategjike Kundër Pjesëmarrjes Publike – të njohura zakonisht si SLAPP – janë padi të ngritura kundër gazetarëve, organeve të mediave dhe aktivistëve për t’i penguar ata të bëjnë punën e tyre.
Ato konsiderohen si një formë e veçantë ngacmimi ndaj gazetarëve, pasi proceset gjyqësore zakonisht zvarriten me vite dhe për këtë arsye kërkojnë shuma të mëdha parash dhe kohë nga i pandehuri.
“Jam e bindur se gazetarët duhet të jenë në gjendje të bëjnë punën e tyre pa frikë”, theksoi Jourova duke treguar gjithashtu rëndësinë e luftës kundër dezinformimit.
Lidhur me dezinformatat në Twitter, Jourova tha se përpara se të hyjë në fuqi Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) “ka ende hapësirë për dialog” me pronarin e ri të gjigantit të mediave sociale, Elon Musk.
“Unë me të vërtetë do të dëshiroja t’i shpjegoja zotit Musk filozofinë tonë se ne jemi mbrojtës të lirisë së fjalës, mbrojtës të lirisë së shprehjes”, tha ajo.
Në shkurt, komisioni publikoi një raport që zbulonte se si Twitter ishte mbrapa në luftën kundër dezinformimit, pavarësisht se kishte nënshkruar vullnetarisht kodin e praktikës.
Jourova përsëriti zhgënjimin në përpjekjet e rrjetit social për të kundërshtuar përhapjen e lajmeve të rreme.
“Unë nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë me Twitter” sapo të hyjë në fuqi DSA, vazhdoi Jourova, por “unë do ta krahasoja situatën me ngarjen (e makinës) në autostradë, pasi nëse e tejkaloni shpejtësinë, merrni dënime dhe një ditë mund të privoheni nga patenta”./ /a.jor.























