PRISHTINË, 23 prill /ATSH/ Në veri të Mitrovicës ashtu siç është parashikuar janë hapur të gjitha qendrat e votimit në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme lokale.
Janë 18 mijë e 118 votues që do të kenë mundësi ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në këto qendra.
Situata aktuale është e qetë dhe gjithçka po shkon sipas planit të parashikuar.
E veçanta e këtyre zgjedhjeve të jashtëzakonshme është se po mbahen për herë të parë pa pjesëmarrjen e partive politike serbe.
Në garë janë dhjetë kandidatë, prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb. Ajo është Sllagjana Pantiç, kandidate e pavarur për kryetare të Komunës së Zveçanit.
Në katër komunat veriore janë gjithsej 19 qendra të votimit me 34 vendvotime, ndërsa të drejtë vote kanë 45 mijë e 95 persona.
Në të kaluarën, në këtë zonë janë hapur 44 qendra votimi.






















