Ballina Ekonomi

AZHBR: IPARD 2, 29 kontrata në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mishit

TIRANË, 13 prill /ATSH/ Industria agropërpunuese kryeson me një sërë investimesh të rëndësishme në të gjithë sektorët e saj, nga përpunimi i qumështit, mishit, fruta-perimeve etj., duke sjellë një standard të ri zhvillimi në prodhime cilësore dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Agjencia e Zhvillimit Bujqësor dhe Rural (AZHBR) bëri të ditur se janë 29 kontrata të nënshkruara me sipërmarrës në sektorin e prodhimit dhe përpunimit të mishit në kuadër të programit IPARD II, në vlerën 10,1 milionë euro.

Investimet janë realizuar për ndërtimin e stallave për rritjen e kafshëve, si gjedhë dhe të imta, ndërtimin e pularive, blerjen e agregateve bujqësore për lehtësimin e punës, gjithashtu në vendosjen e paneleve diellore për uljen e kostove të fermerëve.

Ndërsa, në kuadër të masës së përpunimit të mishit është financuar ndërtimi i thertoreve, i dhomave frigoriferike, si edhe vendosja e linjave të përpunimit.

Investimet kanë dhënë impakt në rritjen e të ardhurave në ekonominë rurale dhe nxitjen e punësimit.

Qëllimi i këtyre investimeve është arritja e standardeve evropiane të cilësisë dhe garantimi i sigurisë ushqimore në çdo hallkë të zinxhirit ushqimor, si dhe rritja e punësimit dhe zhvillimi i zonave rurale.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBERLIN – Destatis: Çmimet e ushqimeve u rritën me 22,3 për qind
Artikulli tjetërKuvendi miraton ndryshimet në ligjin për mediet audiovizive