TIRANË, 12 prill/ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula u shpreh sot se “në krahasim me vitet e mëparshme, aplikimet për azil janë rritur ndjeshëm”.
Sipas tij, “16 mijë të rinj braktisën Shqipërinë vetëm vitin e kaluar për të kaluar me gomone në Britani”.
Sula tha se shifrat janë zyrtare nga Zyra e Statistikave të Emigracionit në Mbretërinë e Bashkuar dhe sipas tij, “këta 16 mijë janë vetëm ata të cilët janë paraqitur në një nga kampet e refugjatëve atje për të kërkuar azil”.
“Në vitin 2021 numri i aplikantëve nga Shqipëria ishte 5147, ndërsa në periudhën 2013- 2018 kishte qenë mesatarisht më pak se 3 mijë persona në vit. Nga viti 2003 deri në 2011 aplikimet nuk i arrinin as 200 në vit. Edhe më tragjike e bën situatën fakti se 72 % e aplikantëve, ose 11.3 mijë të rinj, ishin të grupmoshës deri në 29 vjeç. Përkatësisht gati 58 % e aplikimeve për azil në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2022 i përkiste grupmoshave 18-29 vjeç. Rreth 13.7 % e aplikimeve janë bërë nga fëmijë më pak se 18 vjeç”, tha ai.
Sipas Sulës, “qeveria u kujtua vonë të rrisë pagat në Shqipëri. U kujtua ta bënte këtë kur pa që edhe emigrantët nga Siria, Pakistani apo vende të tjera të treta nuk qëndronin në Shqipëri. Provonin 3 muaj dhe më pas largoheshin. Por tani është vonë. Është vonë dhe këtë e kuptoi edhe vetë mazhoranca, pasi qytetarët në fushatë i zëvendësoi dje me pemë. Në mungesë të njerëzve dje në fushatë mori pemë”.
/m.m/r.e/























