Ballina Flash

​Osmani në Kalabri, merr pjesë në inaugurimin e sheshit “Kosova”

PRISHTINË, 11 prill/ATSH/ Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është pritur nga arbëreshët e Italisë në komunën e Frasnitës. Aty, ajo është nderuar me çmimin “Gjergj Kastrioti” si dhe ka marrë pjesë në inaugurimin e sheshit i cili mban emrin e Kosovës.

Presidentja Osmani ka thënë se arbëreshët e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor për shekuj të tërë.

“Arbëreshët, shtyllë e kulturës dhe e identitetit kombëtar! Mirënjohëse për mikpritjen vëllezërve e motrave arbëreshe. Për shekuj të tërë, ata e kanë ruajtur identitetin kombëtar e gjuhësor, traditën, ritet e kulturën e të parëve të tyre. Ideja e rilindjes kombëtare dhe historia e heroit tonë nacional, Gjergj Kastriotit, e gjejnë burimin në tokën e arbëreshëve. Falënderoj komunën e Frasnitës për çmimin “Gjergj Kastrioti”. Ky çmim është mirënjohje para së gjithash për betejën historike të Kosovës për liri dhe për ruajtjen e identitetit kombëtar”, ka shkruar Osmani.

Ajo ka thënë se prej sot ekziston një copëz Kosove në zemër të Kalabrisë.

“Po ashtu, në zemër të Arbërisë, në praninë e shumë arbëreshëve të Frasnitës, inauguruam sheshin, i cili e mban emrin e Republikës sonë, sheshi “Kosova”. Nga sot, kemi një copëz Kosove në zemër të Kalabrisë”, ka shkruar Osmani në Facebook. /KosovaPress/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSPANJË – Valë e re protestash e sektorit të shëndetit publik
Artikulli tjetërKëlliçi: Urbani i Tiranës do të jetë falas