Ballina Aktualitet

Ngjarja në “Top Channel”, reagimet

TIRANË, 27 mars/ATSH – I. Vata/ Politikanë të lartë të vendit, deputetë të Kuvendit, drejtues të Partisë Socialiste, të Partisë Demokratike dhe partive opozitare kanë reaguar sot për ngjarjen e rëndë që ndodhi në mesnatë “Top Channel”.

Gjiknuri: Autorët të vihen para drejtësisë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri ka kërkuar që ngjarja të zbardhet dhe autorët të vihen para drejtësisë.

“Ngjarje e rëndë sulmi me armë ndaj medias kombëtare “Top Channel” ku për pasojë humbi jetën edhe roja i sigurisë. I shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit dhe uroj që ngjarja të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit e këtij agresioni të vihen sa më shpejt para drejtësisë”, shkruan Gjiknuri në rrjetet sociale.

Balla: Sulm terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar

Edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla reagoi sot për ngjarjen e rëndë që ndodhi në mesnatë në “Top Channel”.

Në një postim në rrjetet sociale, Balla e konsideron sulmin ndaj “Top Channel” si sulm terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar dhe kërkon që autorët të vihen para drejtësisë.

“Sot jemi të gjithë Top Channel. Sulmi terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar, ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola, është një akt tepër i rëndë dhe që kërkon një kundërpërgjigje të qartë dhe të fortë nga shteti. Duhet bërë çmos në identifikimin e autorëve dhe për një ndëshkim model, në mënyrë që ngjarje kriminale të këtij lloji kundër medias së lirë të mos ndodhin më. Ngushëllime familjes së madhe Top Channel për humbjen e një pjesëtari të kësaj kompanie të madhe mediatike të gjithë shqiptarisë. Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë i shpreh solidaritetin e plotë Lori Hoxhës dhe të gjithë punonjësve të Top Channel në këtë moment kaq shqetësues”, shkruan Balla.

Peleshi: Akt i paprecendent dhe kriminal ndaj medias kombëtare “Top Channel” 

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi kërkon të zbardhet ngjarja dhe të vihen para drejtësisë autorët.

“Akti i paprecendent dhe kriminal ndaj medias kombëtare “Top Channel” na ka tronditur të gjithëve. Në pritje të zbardhjes së ngjarjes së rëndë dhe vënies para drejtësisë të autorëve u shprehim ngushëllime familjarëve të punonjësit të sigurisë Pal Kola, por edhe familjes së madhe të Top Channel”, shkruan Peleshi.

Braçe: Sulmi ndaj Top Channel, më i egri ndaj një medieje në Shqipëri

Në një postim në rrjetet sociale, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe e ka konsideruar ngjarjen të rëndë dhe kërkon që autorët të vihen para drejtësisë.

“Sulmi me armë ndaj Top Channel është jo thjesht kriminal, por më i egri ndaj një medieje në Shqipëri. Duke patur të shënjuar në mendje, humbjen e tmerrshme dhe ende të pazbardhur të themeluesit të medias me të madhe në vend, sulmi i sotëm është edhe me i rëndë. Nuk është një ngjarje banale apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo. Liria e Top Channel nuk është liria e një ndërmarrjeje private, por është liria e shprehjes e secilit në këtë vend. Ndaj secili sot duhet të dije autorët dhe qëllimin e tyre dhe përgjigjen duhet ta japë shteti. Ai është një ndër garantët e lirive tona. Mbështetje maksimale Policisë së Shtetit për të bërë detyrën deri në fund, zbulimin e vënien para përgjegjësisë të autoreve, tani, sa me parë. Ngushëllime pa fund për humbjen e jetës së punonjësit në detyrë. Ngushëllime familjes së tij. Solidaritet me Top Channel, çdo gazetar, çdo punonjës te tij. Patjetër që jeta juaj vjen e para, por liria është çështja jonë. Kurajo”, shkruan Braçe.

Alibeaj: Organet ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen

Kryetari i në detyrë i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj ka reaguar për ngjarjen e rëndë në “Top Channel”.

Alibeaj u bëri thirrje, në emër të PD-së, organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë.

“Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend.Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel”, shkruan Alibeaj.

Berisha: Dënoj këtë akt të shëmtuar kriminal

Kryetari i grupit të rithemelimit të PD-së Sali Berisha ka reaguar sot për ngjarjen e rëndë që ndodhi në mesnatë në “Top Channel”.

Në një postim në rrjete sociale, Berisha shprehet se, kjo ngjarje është dëshmi e pasigurisë në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit.

“Një akt kriminal i shëmtuar. Sulmohet me armë zjarri Top Channel dhe ekzekutohet në kabinën e tij roja e objektit. Dënoj me ashpërsinë më të madhe këtë akt të shëmtuar kriminal dhe i shpreh ngushëllimet e mia më të ndjera familjes së viktimës, miqve, të afërmve dhe kolektivit të Top Channel. Denoncoj këtë akt kriminal, si dëshmi tjetër e dhimbshme e pasigurisë së plotë, që ekziston sot në vend nga vendosja e rendit nga regjimi në duart e krimit”, shkruan Berisha.

Meta: Epoka e krimit duhet të marrë fund

Edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta reagoi sot për ngjarjen e ndodhur në “Top Channel”.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta u shpreh se, “bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë”.

“Edhe sot krimi e mori një jetë. Një jetë të pafajshme, të një punëtori. Sot një roje televizioni, para pak ditësh një pastruese lokali. Viktimat e krimeve nuk janë të largët e të panjohur, ata janë njerëzit tanë, bashkëqytetarët tanë, shqiptarët tanë. Bashkohem me pikëllimin dhe dhimbjen e familjarëve dhe gjithë shoqërisë sonë. Epoka e krimit duhet të marrë fund, që të vijë epoka e shqiptarëve. Dhe do të marrë fund, shumë shpejt”, shkroi Meta.

Tabaku: Organet ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen

Edhe deputetja e Partisë Demokratike dhe Kryetarja e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku ka reaguar sot për ngjarjen e ndodhur në mesnatë në “Top Channel”.

Tabaku iu kërkon organeve ligjzbatuese të zbardhin ngjarjen, ndërsa thekson se lufta kundër krimit dhe korrupsionit duhet të jetë prioritet.

“Shpreh ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit Kola që u vra nga një sulm kriminal mëngjesin e sotëm drejtuar medias së “Top Channel”. E tronditur nga sulmi ndaj medias dhe shpreh mbështetjen time në këto momente të rënda ndaj “Top Channel”. Organet ligjzbatuese kanë për detyrë parësore që të zbardhin ngjarjen ndërsa këmbëngul që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet kombëtar dhe çështje e sigurisë tonë kombëtare. Nuk mund të mbyllim sytë dhe veshët përballë kësaj tragjedie dhe rrezikut që na kanoset”, shkruan Tabaku.

Rreth orës 01:00 të pasmesnatës së të dielës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të ambienteve të “Top Channel”. Si pasojë e të shtënave humbi jetën roja i sigurisë, shtetasi P. K., 60 vjeç (punonjës i një shoqërie për ruajtjen fizike të objekteve).

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNgjarja në Top Channel, AMA: Goditje ndaj demokracisë, lirisë së fjalës dhe mendimit
Artikulli tjetërFOKUS – Rusia drejt një baze të re nëndetësesh bërthamore