Ballina Ekonomi

Skema Kombëtare, 4 hapat e aplikimit me zero dokumente nga fermerët

TIRANË, 21 mars /ATSH/ Aplikimi për Skemat Kombëtare të Mbështetjes për Bujqësinë 2023 janë hapur që prej ditës së djeshme dhe fermerët aplikojnë online në e-Albania me zero dokumente.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëri të ditur katër hapat që duhet të ndjekin fermerët për kryerjen e aplikimit.

“Fillimisht regjistrohu në e-Albania, si qytetar, me të dhënat e kartës tuaj të identitetit, zgjidh shërbimin “Aplikim për Skemën Kombëtare të mbështetjes për fermerët’’, zgjidh llojin e fermerit, vendndodhjen e fermës, masën si dhe sasinë për të cilën do të aplikoni dhe kliko dërgo. Vetëm katër hapa dhe aplikimi u krye me sukses”, informoi MBZHR.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural është angazhuar maksimalisht në informimin e fermerëve me qëllim që askush të mos përjashtohet nga aplikimi i gabuar ndërsa në të gjithë vendin janë 20 agropika dhe 35 qendrat e  AREB-ve në dispozicion të aplikantëve për Skemën Kombëtare të mbështetjes në Bujqësi që zhvillohet nga data 20 mars deri më 11 prill 2023.

Fondi i parashikuar në Skemën Kombëtare për vitin 2023 është 3,3 miliardë lekë.

Skema Kombëtare financon 9 masa: Masa 1: Tufa bazë e matrikulluar (gjedhë). Masa 2: Bletaria. Masa 3: Mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (dele, dhi). Masa 4: Fara, fidanë dhe inpute të tjera. Masa 5: Mbështetje për fermat organike. Masa 6: Certifikimi Global Gap. Masa 7: Rinovimi i infrastrukturës së anijeve të peshkimit. Masa 8: Mbështetje për ndërtimin e tregjeve bujqësore. Masa 9: Mbështetje me naftë për kryerjen e punimeve të mekanizuara në bujqësi.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakDita Botërore e Sindromës Down, Kushi: Nevojë për më shumë mbështetje
Artikulli tjetërMirëmbahen “Varrezat Antike” në fshatin Sofratik