TIRANË, 17 mars/ATSH – I. Vata/ Flamingot vizituan sot liqenin e Pogradecit duke kënaqur me ngjyrat dhe elegancën e siluetës së tyre banorët dhe turistët.
Kryeministri Edi Rama postoi mbrëmjen e sotme foto të flamingove në liqenin e Pogradecit.
Prej disa vitesh tashmë, flamingot frekuentojnë liqenin e Pogradecit për një periudhë të shkurtër kohore, edhe pse ai nuk përbën habitatin e tyre natyror.
Shpendët janë vizitorë të përhershëm në Shqipëri, si në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta, në Kune, por vitet e fundit janë parë edhe në Pogradec.
Flamingot jetojnë gjithmonë në grupe, që nga grupet e vogla, deri në qindra-mijëra. Zogjtë ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit. Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.
/r.e/












