Ballina Flash

Sula: PD mbështet kërkesat e pedagogëve

TIRANË, 23 shkurt/ATSH – I. Vata/ Partia Demokratike mbështet të gjitha kërkesat e pedagogëve për rritjen e buxhetit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Në një deklaratë për mediet, drejtuesja e departamentit të Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Lili Sula u shpreh se, “Partia Demokratike ka ndjekur me vëmendje protestën e pedagogëve të stafit ndihmësakademik dhe administrativ dhe i vlerëson të drejta dhe tërësisht të realizueshme kërkesat e tyre”.

“Mbështesim plotësisht kërkesën e pedagogëve që për një periudhë 10-vjeçare qeveria të garantojë financiarisht tarifën e plotë të studimeve të larta. Në këtë krizë të thellë ekzistenciale që po kalon bota universitare, ku shumica e auditorëve janë bosh, ndërkohë që pjesa tjetër përballet me ulje të shpejtë të numrit të studentëve, financimi i tarifës së studimeve të larta është i domosdoshëm. Në këtë periudhë të gjatë 10-vjeçare të dramës së rëndë historike kombëtare, të shpopullimit masiv të vendit prej të rinjve, të këtij emigrimi të pashoq të brezit të ri – energjisë më ripërtëritëse të kombit që po e investon ardhmërinë dhe dijen në vende të tjera – financimi i plotë i tarifës për studime të larta është detyrimi ynë”, tha ajo.

Po ashtu, Sula tha se, “Partia Demokratike u zotohet të gjithë studentëve, nxënësve e prindërve të tyre, të cilët për shkak të krizës së thellë ekonomike e kanë gjithnjë e më të pamundur përballimin studimeve të fëmijëve, se tarifat e studimeve të larta do të jenë 1 euro për një vit akademik, 5 euro për cikilin Bachelor bashkë me atë Master”.

“Arsimi është investim shtetëror që ia ruan rrënjët kombit, përkundrejt strategjisë së sotme të kësaj qeverie që synon ta zhbëjë atë, ndaj Partia Demokratike premton se me ardhjen në pushtet do të marrë përsipër koston financiare të studimeve të larta për çdo student. Partia Demokratike mbështet të gjitha kërkesat e pedagogëve për rritjen e buxhetit të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, mbështet kundërshtimin e VKM 741 që i transformon universitetet në fondacione ose OJQ, rishikimin e VKM 112 që diskriminon pedagogun dhe e vendos atë në kushte të përmbushjes së kërkesave, ndërkohë që qeveria nuk ia ka siguruar paraprakisht ato; dëmshmërinë në punë; rritjen e pagës së tyre si kolegët në Kosovë, transparencën financiare, e cila mungon në universitete. Shprehim mbështetje të plotë për lëvizjen e pedagogëve për të trajtuar  botën universitare si vendet e rajonit”, theksoi Sula.

/gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKumbaro: Duam të tërheqim turistët japonezë drejt vendit tonë
Artikulli tjetërBashkëpunimi në fushën e teknologjisë, Ibrahimaj takon drejtuesit e kompanisë PH Medicon