TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Rritja e sasisë së prodhimeve bujqësore po kërkon gjithmonë e më shumë rritjen e kapaciteteve magazinuese dhe ambalazhuese të pikave të grumbullimit.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, njëkohësisht edhe drejtues politik i qarkut të Fierit, Taulant Balla solli sot shembullin e “Elian Export” sh.p.k. në Lushnjë, që është një ndër pikat e grumbullimit dhe eksportuesit më të mëdhenj të produkteve shqiptare në Evropë.
“Në sajë të mbështetjes nga AZHBR/IPARD II u bë e mundur ndërtimi i magazinës së re me sipërfaqe 1540 m2 dhe volum 9200 m3 për grumbullimin, seleksionimin dhe tregtimin e frutave dhe perimeve. Brenda kësaj magazine janë ndërtuar dhe dhomat frigoriferike për ruajtjen e produkteve deri në momentin e eksportit”, u shpreh Balla.
Balla nënvizoi se, “Elian Export ka kontrata me 1300 fermerë në të gjithë Shqipërinë duke i ndihmuar në shitjen e produkteve të tyre”.
“Ky investim është realizuar duke mbështetur dhe përmirësuar teknologjinë në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian për përmirësimin e sigurisë ushqimore dhe të sistemeve të garantimit të cilësisë”, theksoi Balla.
/r.e/












