Ballina Aktualitet

Pas protestës, Berisha mesazh para institucioneve

TIRANË, 11 shkurt /ATSH – I. Vata/- Kryetari i PD-së, Sali Berisha i shoqëruar nga një grup protestuesish marshoi drejt Parlamentit, Ministrisë së Brendshme dhe bashkisë së Tiranës pas përfundimit të protestës së opozitës prej rreth dy orësh në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë.

Para Ministrisë së Brendshme, Berisha tha se, “erdhëm këtu për t’i dhënë një mesazh ministrit të familjes Çuçi, se ai duhet të japë urgjentisht bashkë me Edi Ramën dorëheqjen. Ky marshim pranë shtyllave kryesore është paqësor sot, por ky ka objektivat e veta taktike dhe strategjike. Do t’i mësoni në ditët në vazhdim. Sot kaluam para parlamentit ditën e hënë protestojmë para parlamentit”.

Po ashtu Berisha është ndalur para bashkisë së Tiranës nga ku deklaroi se, “Veliaj s’ka të drejtë të hyjë asnjë ditë në këtë godinë pasi vjedh 18 euro në çdo ton nga plehra”.

Gjithashtu, Berisha u ndal edhe te Partia Socialiste ku u shpreh se kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama.

“Së pari për një mesazh paqësor për të gjithë socialistët e ndershëm shqiptarë. Kërkoj mirëkuptimin e tyre, i siguroj se aq sa kanë ata respekt për votën e tjetrit, aq ka Sali Berisha respekt për ta. Kjo ndërtesë është shndërruar në selinë e së keqes nga një grup kriminal i kryesuar nga Rama, i cili me lidhjet e tij me bandat, me krimin, iu ka shkaktuar shqiptarëve dramën më të madhe, ka përzënë nga vendi nga viti 2014, mbi 700 mijë shqiptarë”, tha Berisha.

Pas marshimit para institucioneve Berisha e mbyllë rrugëtimin tek selia e Partisë Demokratike.

Ai i bëri thirrje policisë së shtetit të lirojë protestuesit, luftëtarët e lirisë, sepse çdo cenim i tyre cilido që ta bëjë, do të regjistrohet si armik i revolucionit.

“Revolucioni ynë është betejë jetike, këtë mision se idealet tona nuk ka forcë në botë ti mposhtë. Këtu para jush i kërkoj policisë të lirojë protestuesit, luftëtarët e lirisë,  paqësorë sepse çdo cenim i tyre cilido që ta bëjë, do të regjistrohet si armik i revolucionit. Kurse protestuesit si të persekutuar politikë, u bëj thirrje ju të gjithëve duke ju falenderuar që më ndoqët në këtë marshim, të hënën ora 5 para Parlamentit. Do vazhdojmë revolucionin deri në fitore”, u shpreh Berisha.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti bisedë me Chollet: Propozimi evropian bazë e mirë, të intensifikohet dialogu
Artikulli tjetërVeliaj-Berishës dhe Këlliçit: I ftoj të vijnë sërish në 15 Maj t’i falënderoj për garën