Ballina Flash

Programi i ri i kodimit, Muzhaqi: Deri tani 1450 aplikime

TIRANË, 9 shkurt/ATSH/ Në Programin e Kodimit për të rinjtë, i hapur në janar të këtij viti, së bashku me aplikimet e të rinjve të qytetit të Elbasanit, numërohen sot 1450 aplikime.

Kështu deklaroi ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, gjatë prezantimit në Elbasan të kurseve të kodimit me mbështetje financiare nga qeveria shqiptare.

Në këtë prezantim ishin të pranishëm edhe kryetari i bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja dhe të rinj elbasanas.

“Diskutuam rreth mundësive që ofron tregu i punës në fushën e teknologjisë së informacionit, duke filluar nga pagat e larta , mundësia për të punuar online për kompani prestigjioze ndërkombëtare e shumë të tjera”, nënvizoi Muzhaqi në një postim në rrjetet sociale.

Ministrja Muzhaqi u bëri apel të rinjve të vijojnë aplikimet në mënyrë që të bëhen pjesë e revolucionit teknologjik.

Këto aplikime kryhen në portalin e-Albania në shërbimin “Aplikim për kursin e formimit profesional me mbështetje financiare”.

Programi i kodimit përveç subvencionimit do të ofrojë dhe ndërlidhje me tregun e punës, për të thjeshtëzuar bashkëveprimin mes profilizimit të të rinjve e tregut të punës si dhe për të mundësuar oferta punësimi për të rinjtë me paga të krahasueshme me tregun ndërkombëtar, menjëherë pas përfundimit të kursit.

Subvencionimi nga ana e qeverisë shkon deri në 50 % të kostos, ndërsa për disa kategori më vulnerabël shkon deri në 100 %.

/k.s/ /gj.m/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKurti: Propozimi i BE-së për dialogun është në favorin tonë
Artikulli tjetërBorrell fton Kurtin dhe Vuçiçin për takim në Bruksel