TIRANË, 8 shkurt /ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot marrëveshjen për zbatimin e programit për “Zhvillimin e Qëndrueshëm të Zonave Rurale në Shqipëri”.
Lajmin e bëri të ditur në një dalje për mediat, pas mbledhjes së qeverisë, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca.
Ajo tha se, “ky është programi i dytë në vendin tonë me këtë objektiv dhe përbëhet nga një financim prej 7.5 milionë euro të Republikës Federale të Gjermanisë”.
Ministrja theksoi se, “objektivat e këtij programi janë në të njëjtën linjë me prioritetet e Ministrisë së Bujqësisë, të shprehura në strategjinë kombëtare 2027. Qëllimet kryesore të programit janë fuqizimi i eksporteve, rritja e të ardhurave për fermerët, aplikimi i inovacioneve në shërbim të eficiencës së prodhimit, rritja e sipërfaqeve të serave dhe patjetër, zbatimi në vendin tonë i politikave të axhendës së gjelbër të Bashkimit Europian”.
“Ky program do të mbështesë me fonde dhe ekspertizë krijimin e modeleve të fermave ekonomikisht të qëndrueshme, të afta të konkurrojnë cilësisht në treg. Programi synon gjithashtu të rrisë në Shqipëri zbatimin e praktikave të prodhimit me kosto të ulura si dhe përmirësimin e klimës së të bërit biznes në zonat rurale shqiptare”, tha ajo.
“Një fokus i veçantë do t’i jepet blegtorisë, në rritjen e shëndetit të kafshëve, përmirësimin e rendimentit të prodhimit dhe mbi të gjitha aksesin në treg të blegtorëve dhe sipërmarrjeve blegtorale”, u shpreh Krifca.
Ajo tha se, “ky program do të jetë edhe në funksion të mbështetjes së kapaciteteve tona administrative dhe institucionale përgjatë të gjithë rrugës së anëtarësimit në Bashkimin Europian”.
/gj.m/























