SOFJE, 3 shkurt /ATSH-DPA/- Agjencia Bullgare e Lajmeve (BTA) njoftoi dje gjatë një ceremonie hapjen e një klubi kombëtar të shtypit, në kryeqytetin turk, Ankara.
“BTA jo vetëm që po kthehet plotësisht në Ankara, por po zgjeron gjithashtu praninë e saj në Turqi, me një Klub Kombëtar të Shtypit”, tha drejtori i përgjithshëm i BTA-së, Kiril Valchev.
“BTA ka planifikuar klube të tilla shtypi në të gjitha vendet fqinje, si dhe në vendet me komunitete të mëdha bullgare. Ankaraja është e pesta, pas Shkupit (Maqedonia e Veriut), Bukureshtit (Rumani), Bosilegradit (Serbi) dhe Taraclias (Moldavisë)”, tha Valchev.
“Një BTA e ndryshuar është kthyer në Ankara pas 30 vjetësh, në ditën që një shekull më parë Ataturku u kthye në Turqi nga Bullgaria”, shtoi ai.
Në event morën pjesë zëvendëspresidentja e Bullgarisë, Iliana Iotova, e cila ndodhet për një vizitë zyrtare në fqinjin juglindor të Bullgarisë, kreu i delegacionit të BE-së në Turqi, Nikolaus Meyer-Landrut, drejtori i përgjithshëm i agjencisë kombëtare të lajmeve të Turqisë, “Anadolu”, Serdar Karagoz, konsulli i përgjithshëm i Bullgarisë në Stamboll Vasil Valchev, konsulli i përgjithshëm në Edrene, Borislav Dimitrov dhe drejtori i përgjithshëm i BNR-së, Milen Mitev.
Karagoz theksoi se me hapjen e klubit të shtypit të BTA-së në Ankara, marrëdhëniet mes dy vendeve do të bëhen edhe më të ngushta.
“Agjencia “Anadolu” u themelua në Ankara saktësisht 103 vjet më parë. Është një kënaqësi e madhe për ne që saktësisht 103 vjet më vonë BTA po hap një zyrë këtu në Ankara. Dy vendet janë shumë afër jo vetem në aspektin gjeografik. Ne jemi gjithashtu, të afërt kulturalisht dhe lidhjet tona historike janë të qëndrueshme”, shtoi Karagoz.
Ai tha se bashkëpunimi mes dy agjencive bazohet në një marrëveshje për shkëmbimin e informacionit në baza ditore.//a.i/












