TIRANË, 31 janar /ATSH/ Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri nisi sot fushatën “Gjurmo të vërtetën”, e cila fton qytetarët dhe profesionistët e medias për të reflektuar mbi keqinformimin dhe dezinformimin.
Në këtë kuadër, Bashkimi Europian ka vendosur pranë Muzeut Historik Kombëtar instalacionin e “tunelit të dezinformimit”.
Pasditen e sotme, ky instalacion, u vizitua edhe nga ambasadorja e Bashkimit Europian në Tiranë, Christiane Hohmann.
“Sot nisëm fushatën #GjurmoteVerteten! Një platformë komunikimi e cila fton gazetarët dhe ne, konsumatorët e informacionit, që të shohim gjithmonë faktet dhe të gjurmojmë të vërtetën. BE do të vazhdojë të mbështesi fact-checkers-at dhe gazetarët shqiptarë në përpjekjen e tyre për raportim cilësor e të bazuar te faktet”, theksoi Hohmann në një reagim në rrjetet sociale.
Por, shtoi Hohmann, “është edhe përgjegjësia jonë që të jemi të vëmendshëm mbi çfarë konsumojmë e të mendojmë në mënyrë kritike”.
Hohmann ftoi qytetarët që të vizitojnë tunelin e së vërtetës në qendër të Tiranës.
“Eja në Sheshin Skënderbej dhe vizito tunelin tonë të dezinformimit ose zbulo më shumë në: https://gjurmoteverteten.al/”, shkroi Hohmann.























