TIRANË, 31 janar /ATSH/ Angazhimi për të çuar më tej përmirësimin e klimës të të bërit biznes, ishte në fokus të takimit që zhvilloi ministrja e Shtetit për Standardet e Shërbimeve, Milva Ekonomi me Ines Muçostepan, kryetare e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë.
Ekonomi tha se, “Ines Muçostepa që drejton prej vitesh Bashkimin e Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, beson se shumë gjëra janë përmirësuar në klimën e të bërit biznes në Shqipëri, por që ende ka mundësi për më tepër”.
Duke u ndalur në zhvillimin e tregtisë mes vendeve të rajonit dhe përfitimet në ekonominë e vendit, Ekonomi tha se, Tregu i Përbashkët Rajonal për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, shënon 5-vjetorin.
“Gjatë këtyre viteve, treguesi i hapjes ekonomike është përmirësuar ndjeshëm; nga 58% në 2018 në 70% në 2022”, theksoi Ekonomi. /j.p/












