Ballina Bota

ZELANDA E RE – Chris Hipkins drejt postit të kryeministrit

UELLINGTON, 21 janar /ATSH-DPA/ – Chris Hipkins do të bëhet kryeministri i ardhshëm i Zelandës së Re, pas dorëheqjes së papritur të Jacinda Ardern.

”Hipkins ishte i vetmi i nominuar për kreun e Partisë Laburiste”, njoftoi sot në një deklaratë deputeti laburist, Duncan Webb.

”Emërimi i 44-vjeçarit duhet ende të miratohet zyrtarisht nga grupi i Partisë së Punës. Kjo do të ndodhë të dielën”, tha Webb.

Pas kësaj, Ardern pritet të japë zyrtarisht dorëheqjen e saj dhe Hipkins do të betohet si kryeministri i 41-të i Zelandës së Re.

Hipkins do të jetë kryeministër përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vendit, të caktuara për 14 tetor.

”Roli i kryeministrit është një privilegj i madh”, tha sot Hipkins, në konferencën e tij të parë për shtyp.

“Është gjithashtu një përgjegjësi e madhe. Dhe pesha e kësaj përgjegjësie ende po rritet”, theksoi ai.

“Unë ndihem energjik dhe entuziast dhe mezi pres të filloj punën”, tha Hipkins.

Hipkins aktualisht është ministër i Arsimit, por është më i njohur për rolin e tij si ministër për Covid-19 gjatë kulmit të pandemisë./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSpiropali: 21 Janari, një fakt i ri që bërtet për drejtësi
Artikulli tjetërKongresi i Lushnjës, një nga kuvendet më të rëndësishme për pavarësinë e plotë të Shqipërisë