TIRANË, 21 janar/ATSH/ Sot shënohen 12 vite nga 21 Janari 2011, kur gjatë një proteste të Partisë Socialiste në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë u vranë katër protestues nga Garda e Republikës.
Gjatë protestës së 21 Janarit 2011 mbetën të vrarë Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj.
Për vrasjen e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedës, Gjykata e Apelit të Tiranës dënoi ish-kreun e Gardës, Ndrea Prendi me 1 vit burg dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite e pak muaj.
Prokuroria e Tiranës vendosi në qershor të 2021 rifillimin e hetimeve për vrasjen e Aleks Nikës, hetim i cili ishte pezulluar pasi nuk kishte asnjë autor të dyshuar për të.
Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj janë shpallur nga qeveria e Republikës së Shqipërisë “Dëshmorë të Atdheut”.
/m.m/























