Ballina Flash

Orkestra e RTSH çel sezonin e ri koncertor me Haydn e Çajkovski

TIRANË, 16 janar/ATSH/ Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar çeli sezonin e ri koncertor për vitin 2023.

Në sallën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, u luajt “koncerti nr. 2 për violonçel dhe orkestër” nga Joseph Haydn  si dhe vepra madhore e Çajkovskit, simfonia nr. 6 “Patetike”, shkruar pak ditë para ndarjes nga jeta, të kompozitorit të madh rus.

Dirigjenti në këtë nisje të stinës koncertore, ishte Oleg Arapi dhe solist në violonçel Georgi Anishenko, solist i Operas Kombëtare të Belgjikës “La Monnaie”, të cilët elektrizuan sallën.

I lindur në Minsk të Bjellorusisë, pasionin për violonçel, Georgi Anishenko e ka kultivuar që në fëmijëri, kur filloi studimet në moshën 5-vjeçare në Kolegjin Shtetëror të Muzikës dhe për herë të parë ka luajtur në moshën 8-vjeçare në një turne europian.

Drejtor artistik i orkestrës së RTSH, për sezonin 2022-2023 është Aurelien Azan-Zielinski, i cili vjen pas një përvoje 7-vjeçare si drejtues i Orkestrës Kombëtare të Bretanjës.  Ai është gjithashtu profesor në Shkollën e Lartë të Muzikës, në Lozanë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia rumune zgjeron hetimet ndaj Andrew Tate
Artikulli tjetërKINEMA – Vdes Gina Lollobrigida