Ballina Flash

Bjeshka e Oroshit zbardhet nga dëbora

TIRANË, 13 janar/ATSH/ Dëbora ka zbardhur edhe Bjeshkën e Oroshit, një zonë malore mjaft atraktive me shumë mundësi për zhvillimin e agroturizmit dhe turizmit malor në Mirditë.

Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ndau sot në rrjetet sociale pamje nga bjeshka e Oroshit.

“Dëbora ka zbardhur tashmë edhe Bjeshkën e Oroshit, një zonë malore mjaft atraktive, ku gjeni mundësi të shumta për zhvillimin e sporteve dhe aktiviteteve të ndryshme të turizmit malor”, theksoi AKZM.

Bjeshkët e Oroshit janë të pasura me lëndina, burime, shpate të thepisur dhe kullota alpine. Zona më interesante është Nënshejti me burime uji dhe ”Fushat e Lugjeve” me mundësi për turizmin malor. Oroshi është gjithashtu një vend i rëndësishëm historik dhe kulturor.

Këtu ndodhej bërthama e krijimit të krahinës së Mirditës dhe njëkohësisht në shek. XV ka qenë një nga qendrat më të rëndësishme të rezistencës antiosmane.

Në Orosh gjendet dhe një shpellë tepër e veçantë “Shpella e Pashës”. Specialistët e AdZM-së Lezhë, kanë vendosur shkallë në këtë shpellë me qëllim që ajo të bëhet e vizitueshme nga turistët.

/k.s/j.p/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakFOKUS – NATO do të zhvendosë avionët e rikonicionit në Rumani
Artikulli tjetërNdërhyrje emergjente në kështjellën mesjetare të Lezhës