ALASKË, 12 janar /ATSH/ – Fotot dhe videot e ”Mo Mountain Mutts”, një shërbim transporti dhe argëtimi për qentë, aktiv vetëm në Alaskë, po bëjnë xhiron e botës, shkruan today.it.
Çdo mëngjes çifti Moo dhe Lee Thompson shfaqen me autobusin e tyre të bardhë në Skagway, një qytet prej vetëm 24 kilometrash, për të marrë qentë vendas që u janë besuar nga pronarët e tyre për një shëtitje në një livadh, ku ata luajnë lirshëm.
“Nuk mund ta besoj se është një punë. Ndonjëherë shikoj në pasqyrën e pasme të autobusit ndërsa drejtoj. Dhe shoh të gjithë qentë atje. Nuk mund ta besoj se e bëjmë për të jetuar, por është e mrekullueshme”, deklaron çifti.
Mo Mountain Mutts ka lindur në Alaskë, dhe është një autobus që transporton vetëm qen.
Gjithçka filloi kur Moo ulej me qenin e saj gjatë pushimeve të drekës së punës së saj. Ajo ishte aq e mirë me qentë saqë kërkesat u shtuan dhe kështu vendosi të përfshijë edhe bashkëshortin e saj Lee.
“Ne të dy jemi të specializuar në mësimin e sjelljeve, ndërveprimin me këlyshët dhe nxjerrjen e tyre në shëtitje. Kështu, ne filluam të punojmë së bashku, duke krijuar Mo Muntain Mutts!” – shpjegon Moo për CNN.
Çifti kujdeset për deri në 40 qen në ditë. Udhëtimet me autobus janë projektuar për 12 qen në të njëjtën kohë, ata merren dhe më pas lidhen me rripat e sigurimit. Çdo qen zgjedh vendin e vet në mënyrë të pavarur.
Më pas, pas disa kilometrash të udhëtuar me shpejtësi të ulët, qentë zbresin dhe luajnë lirshëm në një livadh. Duke pasur parasysh temperaturat e ulëta të dimrit, autobusi qëndron i ndezur, kështu që qentë mund të hyjnë për t’u ngrohur pak dhe më pas të kthehen në lojë./ /os/























