TIRANË, 8 janar /ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi deklaroi sot se,”bujqësia në Shqipëri është në gjendje zie sepse “Rilindja” nuk ka asnjë plan dhe jep pothuajse zero mbështetje për të”.
Në një deklaratë për mediet, Blushi tha se “është jetike që në Shqipëri të mbështetet prodhimi, fermeri dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit”.
Blushi u shpreh se, “është i shkëlqyer shembulli i Qeverisë së Kosovës, që me shpalljen e rritjes së re të pagesave të drejtpërdrejta, po aplikon bujqësi të standardeve europiane, duke dhënë shembullin e shkëlqyer dhe patriotik se si mbështetet realisht bujqësia”.
“Megjithse Kosova ka një buxhet më të vogël se Shqipëria dhe një klime më të pafavorshme i mbështet në mënyrë dinjitoze fermerët që të punojnë në vendin e tyre, ndryshe nga Qeveria e Ramës që i mjeron fermerët dhe i largon nga vendi”, tha Blushi.
Blushi nënvizoi se, “Partia e Lirisë ka një program konkret për mbështetjen e fermerëve për t’i dhënë frymëmarrjen dhe mbështetjen e merituar bujqësisë nëpërmjet rritjes së investimeve bujqësore përmes mbështetjes me kredi të buta dhe fonde grant të fermerëve, nxitjen e prodhimit bujqësor dhe uljen e kostos së tij, duke ulur ndjeshëm barrën tatimore dhe tarifore për lëndën e parë në bujqësi; uljen e taksave dhe tarifave për naftën e bujqësisë; pajisjen me Kartën e Fermerit për të mundësuar dhe garantuar zbritjen automatike të pagesës së TVSh-së për inputet bujqësore, (plehra kimike, fidanë, fara, naftë); promovimin dhe mbrojtjen e prodhimit vendas nga diskriminimi, spekulimi me çmimet dhe konkurrenca e pandershme. Heqjen e TVSH për imputet bujqësore. Lënien e tavanit prej 50 milionë lekë investim, për përfitimin e uljes së TVSH të makinerive bujqësore dhe një shtesë prej 5 miliardë lekë, për mbështetjen e prodhimit bujqësor-blegtoral, agroindsturial dhe marketingut”.






















