Ballina Aktualitet

Nikolla: Trafiqet dhe dhuna, krim kundër jetës

TIRANË, 5 janar/ATSH – I. Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla përshëndeti shpalljen nga presidenti amerikan Joe Biden të muajit janar 2023 si Muaji Kombëtar i Parandalimit të Trafikimit të Qenieve Njerëzore.

“Presidenti Biden, me një dekret të veçantë, e shpalli muajin janar 2023 Muajin Kombëtar të Parandalimit të Trafikimit të Qenieve Njerëzore. Rreth 25 milionë njerëzve në botën e sotme, shumica e të cilëve nga familje e komunitete të varfra, u është grabitur liria, u është zhveshur dinjiteti njerëzor dhe jeta u është bërë e pasigurtë, prej trafikantëve të qenieve njerëzore. Trafikimi i qenieve njerëzore nuk është një problem i panjohur as për shoqërinë dhe as për drejtësinë shqiptare. Trafikimi i grave dhe fëmijëve është ndër figurat më të shëmtuara të këtij krimi kundër jetës. Trafikimi zhvillohet njëkohësisht me vepra të tjera kriminale si dhuna me bazë gjinore, dhuna ndaj grave e fëmijëve, dhuna në familje etj.”, u shpreh Nikolla.

Nikolla inkurajoi organet e policisë dhe të drejtësisë të tregojnë tolerancë zero dhe të jenë të pamëshirshëm ndaj kriminelëve trafikantë e dhunues.

“Por lufta kundër këtyre veprave kriminale nuk është vetëm luftë e policisë dhe e drejtësisë. Si kryetare e Kuvendit, si deputete, si grua, nënë e bashkëshorte, u bëj thirrje të gjitha familjeve shqiptare, institucioneve shtetërore, partive politike, komuniteteve fetare, sipërmarrjeve private, shoqërisë civile, shkollave, mësueseve e mësuesve, organeve ligjzbatuese dhe atyre të drejtësisë të tregojmë një sensibilitet më të lartë njerëzor, institucional, politik e kombëtar për luftën kundër trafiqeve dhe dhunës. Në fund të sesionit të kaluar, me nismën time si deputete, dorëzova në Kuvend disa propozime për ndryshime ligjore kundër dhunës gjinore dhe po punoj edhe për propozimin e një pakete më të plotë ndryshimesh ligjore kundër dhunës, trafiqeve dhe veprave të tjera penale të lidhura me to.Lufta kundër trafiqeve e dhunës është lufta e secilit, është lufta e të gjithëve ne, është lufta për dinjitetin, lirinë dhe jetën!”, shkroi Nikolla.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakANALIZË – Çfarë është varianti i ri XBB.1.5 i Covid-19?
Artikulli tjetërBrataj: Gripi sezonal rikthehet pas pandemisë, situatë normale për periudhën