TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike do të përfitojnë 20 mijë lekë nga Pako e Madhe e mbështetjes financiare.
Lajmin e bëri të ditur sot kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale, ndërsa nga ky vendim përfitojnë 6700 gra kryefamiljare.
“Edhe 20 mijë lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe për gratë kryefamiljare me ndihmë ekonomike, pas dyfishimit të ndihmës, bonusit të Vitit të Ri si edhe pagesës së sigurimeve shoqërore e shëndetësore, për të lehtësuar plotësisht impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre bazë, në këtë dimër të vështirë ekonomik për mbarë Europën”, tha ai.
Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milion individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliard lekësh.
Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje. /m.m/























