TIRANË, 30 dhjetor/ATSH/ Punonjësit e Policisë së Shtetit do të përfitojnë 10 mijë lekë nga mbështetja financiare për përballimin e pasojave të inflacionit të luftës.
Kryeministri Edi Rama informoi sot se ky vendim vjen pas rritjes së pagave para disa muajsh me 15% për inspektorët e nënkomisarët dhe 7% për komisarët e Policisë së Shtetit.
“10 mijë lekë nga Pakoja e Madhe, pas rritjes së pagave para disa muajsh me 15% për inspektorët e nënkomisarët dhe 7% për komisarët e Policisë së Shtetit, do ta zerojnë impaktin e inflacionit të luftës mbi konsumin e tyre familjar në këtë dimër të vështirë për të gjithë, duke dëshmuar po ashtu vëmendjen e pandarë të qeverisë jo vetëm ndaj shtresave më në nevojë, po edhe ndaj shërbëtorëve të shtetit e të popullit shqiptar”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milion individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliard lekësh.
Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje. /m.m/












