TIRANË, 27 dhjetor/ATSH – I. Vata/- Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi në mbledhjen e qeverisë se u miratua strategjia ndërsektoriale për të miturit dhe plani i veprimit për vitin 2022-2026.
Në komunikimin për mediet pas mbledhjes, Manja theksoi se strategjia për të miturit është hartuar duke mbajtur në konsideratë rekomandimet e BE-së.
“Kjo strategji, është hartuar duke mbajtur në konsideratë rekomandimet e progresraportit të Bashkimi Evropian për Shqipërinë për vitin 2022, por dhe në prioritetet që ne kemi në lidhje me kapitullin 23. Po ashtu, ka marrë në konsideratë edhe rekomandimet e Komitetit të Mbrojtjes së Fëmijëve, të strategjisë së BE-së për një drejtësi miqësore për të miturit, por dhe rekomandimet e mekanizmave monitorues të Konventave të Këshillit të Evropës dhe të Organizatës së Kombeve të Bashkuara”, tha ai.
Manja theksoi se strategjia e re ndërsektoriale për të miturit, përveç se konsolidon asksesin për një drejtësi miqësore me të miturit me qëllim parandalimin për t’i mbajtur ata larg përfshirjes së tyre në veprave penale, ka dhe dy risi të rëndësishme.
“Fokusi i kësaj strategjie është te fëmijët kur janë viktima të trafikimit dhe të dhunës në familje. Krijohet një fond i posaçëm i kompensimit për fëmijët kur ata janë viktima. Po ashtu, strategjia i jep parësi ekzekutimit të vendimeve gjyqësore me qëllim kompensimin e të miturve kur janë viktima por dhe monitorimin e vendimeve në praktikë”, tha Manja.
Ai shtoi se, risia tjetër është krijimi i një platforme kombëtare për të gjithë aktorët që punojnë me dhe për mbrojtjen e fëmijëve dhe partnerët tanë ndërkombëtar me qëllim parandalimin e përfshirjes së fëmijëve të mitur në konflikt me ligjin, kryesisht nëpërmjet programeve të edukimit, informimit, drejt një drejtësie restauruese dhe miqësore.























