TIRANË, 13 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka ngritur shqetësimin e koncesioneve korruptive, por edhe të PPP, që sipas tij po asfiksojnë ekonominë shqiptare.
Në një deklaratën për mediet, Meta tha se koncensionet korruptive dhe PPP-të po e mbysin ekonominë, duke rënduar ndjeshëm buxhetin e shtetit, rritur në mënyrë katastrofike borxhin publik dhe praktikisht duke falimentuar Shqipërinë.
“Fondi Monetar Ndërkombëtar, sikundër edhe opozita ka paralajmëruar më herët, ka ngritur së fundmi alarmin e kuq për nivelin e lartë të rrezikut që paraqesin kontratat koncesionare në ekonominë shqiptare dhe kryesisht në stabilitetin fiskal. Këto praktika shumë të dëmshme për ekonominë e vendit, sikundër projektet korruptive të Partneriteteve Publike-Private (PPP) për investime në infrastrukturë do të pengojnë efikasitetin e investimeve publike dhe do të bëhen shkak për të krijuar detyrime shumë të mëdha, të cilat mund të dëmtojnë seriozisht qëndrueshmërinë e borxhit”, u shpreh Meta.
Meta shtoi se si asnjëherë tjetër, raporti i fundit i Fondit Monetar për Shqipërinë (FMN), i ka kushtuar vëmendje të lartë edhe ndërtimit dhe tregut të pasurive të paluajtshme, duke paralajmëruar rreziqet që mund të ketë një kthesë në rënie në ecurinë e çmimeve dhe implikimet për sektorin financiar e bankar.
“Mbështes plotësisht shqetësimin e FMN mbi rëndësinë e rritjes së vigjilencës ndaj stabilitetit financiar të politikëbërësve, duke pasur parasysh rritjen e shpejtë të kredisë dhe të aktiviteteve të pasurive të paluajtshme”, tha ai.
/r.e/























