TIRANË, 9 dhjetor/ATSH – I. Vata/ Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo deklaroi se korrupsioni është një ndër shqetësimet më alarmante për Shqipërinë.
Në një deklaratë për mediet, Garo tha se Partia Demokratike vëren me alarm, mbështetur në raporte ndërkombëtare, se Shqipëria nën Edi Ramën është e dorëzuar dhe gjunjëzuar përballë këtij fenomeni. Korrupsioni mbetet një shqetësim alarmant, duke u bërë pengesë për përparimin e Shqipërisë dhe integrimin në Bashkimin Europian.
“Raporti i fundit i Komisionit Europian, i cili u publikua rreth dy muaj më parë, ishte një “shuplakë” për Shqipërinë. Korrupsion janë të gjitha vjedhjet e Edi Ramës dhe ministrave të tij, vjedhjet me djegësat, Portin e Durrësit dhe aferën e Butrintit. Vjedhjet me rrugët, që ndërtohen me çmim 8 herë më të lartë se në BE; vjedhjet dhe shpërdorimet në buxhet me mbi 8,2 miliardë euro, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit. Janë këto vjedhje që e bëjnë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Europës”, tha ajo.
Garo shtoi se, sipas këtij raporti të fundit, Shqipëria ka presionin dhe përfshirjen më të lartë në korrupsion në Ballkanin Perëndimor për të gjithë treguesit, si kërkimi i ryshfetit, dhënia, pranueshmëria e korrupsionit, rënia pre e tij dhe madje kapja e shtetit nga bizneset.
/r.e/













