Ballina Aktualitet

Berisha për incidentin: Gjithçka e përgatitur

TIRANË, 6 dhjetor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në një konferencë për shtyp se 31-vjeçari që e goditi me grusht është agjent i policisë kriminale, teksa ngjarja ishte e përgatitur.

“Siç u pa, ishte një akt agresiv kriminal, i një personi që plotëson çdo kusht për të qenë i përdorur. Por ajo që është më flagrante, është se personi është agjent i policisë kriminale”, tha Berisha.

“Gerti Shehu është agjent i policisë kriminale, kontingjent që futen me doza të vogla në rrethet e trafikantëve, ka problem me disa çrregullime, por fakti që zyra e Fugës shpërndau me urgjencë këtë dokument shëndetësor për të, dëshmon se gjithçka ishte e përgatitur”, theksoi Berisha.

“Fakti që zyra e tij, e kishte gati shkresën për tu’a dhënë gazetarëve. Ju e dini se në raste të tilla këta persona përdoren, se një njeri normal nuk pranon kurrë të përdoret”, u shpreh Berisha.

“Edi Rama duke dashur që të paraqesë veten me duar jashtë e paraqiti veten 100% duarbrenda”, shtoi Berisha.

Berisha shtoi se, “qeveria e kishte bërë gati aktin mjekësor për të mashtruar, për të justifikuar një agjent të policisë kriminale”.

Berisha publikoi një vërtetim mjekësor të 31-vjeçarit, Gert Shehu, sipas të cilit ai vuan nga çrregullime psikotike.

“Vërtetim mjekësor për t’u përdorur kudo që t’i nevojitet, por ky vërtetim mjekësor miqtë e mi nuk ka asnjë datë. Ai që lexon këtë, thotë se ky, mund të jetë i vitit 2018, mbasi thotë u paraqit në klinikën tonë në 10 janar 2018. Por shumë i çuditshëm vërtetimi sepse thotë gjithashtu se nga episodi i fundit i 10 gushtit 2022, u rekomandua të dërgohet në urgjencën psikiatrike dhe pasi mori ndihmën e parë u rikthye në shtëpi i qetësuar”, u shpreh Berisha.

“Pra ju e kuptoni se kjo nuk dëshmon asgjë tjetër, përveç faktit se qeveria e kishte bërë gati për të mashtruar, për të  justifikuar aktin kriminal të një agjenti të policisë kriminale të përdorur nga Çuçi i familjes me porosi të Ramës”, tha Berisha.

Berisha theksoi se, “shkresa e mjekësore është parafabrikat për të mashtruar liderët e BE, por nuk ka asnjë datë”.

“Siç e shikoni ky mund të jetë mjekuar, por e vërteta është se kjo shkresë është parafabrikat për të mashtruar liderët e BE-së që janë sot këtu. Shkresa nuk ka asnjë datë, që nuk ndodh ndonjëherë dhe për çudinë tuaj as vula nuk ka datë. Këtu keni një rekord tjetër. Është arrestuar sepse ju gjetën 1.9 gramë kanabis sativa. Janë tipike veprime që kryhen ndaj agjentëve të policisë për të bërë të besueshëm, penetruar dhe instaluar në rrjetet e trafikantëve. Burimet e mia që janë të sigurta, ky ka funksionuar si agjent i policisë kriminale në këto dy destinacione. Ky thuhet se është i ditëlindjes 1991, nga fshati Krahës i Tepelenës dhe banues në Tiranë”, tha Berisha. /j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakPolicia: 31-vjeçari që goditi Berishën, vuan nga çrregullime psikotike dhe trajtohej prej vitesh
Artikulli tjetërOsmani: Roli i Kryeministrit Rama, shumë konstruktiv me Maqedoninë e Veriut