TIRANË, 1 dhjetor/ATSH-Maela Marini/ Presidenti Bajram Begaj deklaroi sot se qeveria shqiptare është e angazhuar në Procesin e Berlinit dhe këtë, sipas tij, e dëshmon edhe mbajtja e samitit vitin e ardhshëm në Tiranë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës Federale Gjermane, Frank-Walter Steinmeier, Begaj tha se “Procesi i Berlinit është shumë i rëndësishëm dhe firmosja e marrëveshjeve para 1 muaji për lëvizshmërinë, krijon premisa për marrëveshje të reja në të ardhmen”.
Sipas Presidentit është e rëndësishme që vendet të respektojnë marrëveshjet.
“Procesi i Berlinit nga ana e qeverisë është marrë seriozisht. Vitin tjetër Samiti i Procesit të Berlinit zhvillohet në Tiranë. Kjo tregon se qeveria shqiptare është e angazhuar në këtë proces”, tha Presidenti.
Lidhur me “Ballkanin e hapur”, Begaj tha se “është një proces integral dhe nëse do të jetë gjithëpërfshirës dhe do të ketë në fokus lëvizshmërinë dhe bashkëpunimin ekonomik është i mirëpranuar”.
Sipas tij, “Shqipëria ka qenë pjesë e dialogut dhe mekanizmave rajonalë dhe çdo bashkëpunim rajonal është në interes të mirëqenies që njerëzve”.
Ndërsa duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Begaj tha se “është i mirëpritur propozimi franko-gjerman, apo i Brukselit”.
“Çdo përpjekje për dialog dhe gjetjen e zgjidhjes mes Kosovës dhe Serbisë është i mirëpranuar nga ana jonë. Ne kemi qenë gjithmonë për këtë dialog”, tha Presidenti.
/r.e/





















