Ballina Flash

Edhe minjtë duan… kanabis?

NJU DELHI, 25 nëntor /ATSH/ – Policia në Indi ka ”fajësuar” minjtë për shkatërrimin e afro 200 kilogramëve kanabis, të sekuestruar nga tregtarët dhe të mbajtur në stacionet e policisë, sipas BBC.

“Minjtë janë kafshë të vogla dhe nuk kanë frikë nga policia. Është e vështirë të mbrosh drogën prej tyre”, tha një gjykatës në shtetin e Utar Pradeshit.

Gjykata i kishte kërkuar policisë që të siguronte deponimin si provë në rastet e shitjes së drogës.

Gjykatësi përmendi tre raste në të cilat marijuana u asgjësua nga brejtësit.

Gjykatësi Sanjay Chaudhary tha në një urdhër se kur gjykata i kërkoi policisë të tregonte drogën e sekuestruar si provë, u tha se 195 kilogramë kanabis ishte “shkatërruar” nga minjtë.

Në një rast tjetër që përfshin 386 kilogramë drogë, policia paraqiti një raport duke thënë se “një pjesë” e kanabisit ishte “ngrënë nga minjtë”.

Gjykatësi Chaudhary tha se rreth 700 kilogramë marijuanë e sekuestruar nga policia ishte në stacionet e policisë në Mathura dhe se “e gjitha ishte nën rrezikun e infektimit nga minjtë”.

Ai tha se policia nuk kishte ekspertizë për t’u marrë me këtë çështje pasi minjtë ishin “shumë të vegjël”.

Deputeti Singh, një zyrtar i lartë i policisë së qarkut Mathura, u tha gazetarëve se një pjesë e marijuanës së ruajtur në stacionet e policisë në afërsi të tij ishte “dëmtuar për shkak të shirave të dendur” dhe nuk ishte shkatërruar nga minjtë.

Në vitin 2018, tetë oficerë policie argjentinase u pushuan nga puna pasi fajësuan minjtë për zhdukjen e gjysmë ton kanabisi nga një magazinë policie.

Por, ekspertët kundërshtuan pretendimin, duke thënë se kafshët nuk kishin gjasa të ngatërronin ilaçin me ushqimin dhe “nëse një grup i madh minjsh do ta kishin ngrënë atë, shumë minj të ngordhur do të ishin gjetur në magazinë”.

Një studim i publikuar në vitin 2019 zbuloi se kur minjve të laboratorëve iu dha brumë me  kanabis, ata “prireshin të bëheshin më pak aktivë dhe temperatura e trupit të tyre gjithashtu ulej”./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakSot, 110 vjet nga ngritja e Flamurit të Pavarësisë në Elbasan
Artikulli tjetërKATAR 2022 – FIFA ndalon tifozët të vishen si kryqtarë në ndeshjen Angli-SHBA